Karriera futbollistike e presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan

Ndoshta shumë pak e kanë ditur që presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka qenë dikur futbollist i shquar.

Teksa studionte Administratë Biznesi në atë që sot është Fakulteti i Ekonomisë dhe Shkencave Administrative të Universitetit Marmarae, ai luante edhe futboll gjysmë-profesional.

Erdoğan gjithashtu angazhohej në politikë duke u bashkuar me Unionin Studentor Kombëtar të Turqisë, një grup veprimi antikomunist, shkruan lajmi.net.

Nga vitet 1969 deri më 1982, ai ishte pjesë në mënyrë aktive në futboll, i cili i mësoi atij rëndësinë e punës dhe frymës ekipore në vitet e tij të rinisë. Këto vite përkonin me kohën kur Erdoğan si një djalë idealist filloi të ishte i interesuar për problemet sociale dhe kombëtare dhe u fut në një politikë aktive.

Për këto kohë, vetë presidenti turk kishte folur për televizionin NTVSpor: ”Aventura ime në futboll filloi kur isha 15 vjeç. Ne përdornim letrat për ta bërë një top dhe luanim në lagjen tonë. Ndërsa në klubin amator, Erokspor më këshilloi të luaja në Camialtı, një klub tjetër amator në vitet 1970. Kam luajtur si një sulmues për Camialtı për shtatë vjet. Gjithashtu po studioja dhe bëja politikë rinore në të njëjtën kohë “.

”Pas Camialtı, nënshkrova për İETT dhe kam luajtur atje për shtatë vjet. Kam fituar pesë tituj në shtatë vitet e mia në İETT. Ishte një moment historik personal. Isha kapiten atje. Në atë kohë, terrenet ishin të tmerrshme. Ju do të lëndoheshi shumë shpejt. Nuk kishte fare bari në fushë”.

”Mora karton të kuq vetëm një herë në karrierën time, sepse e kundërshtova vendimin e gjyqtarit”, kujtonte kohët e arta Erdogan.

Ai më tej vazhdoi duke treguar se nëna e tij nuk kishte fare kundërshtime që djali i saj të bëhej futbollist, por babai vazhdimisht kundërshtonte dhe i thoshte që duhej vetëm të studionte.