Kanë kaluar kohët e bukura

Shkruar nga Artam Musliu

Ka kaluar koha…!
Kanë kaluar kohët e bukura.
Në të kaluarën afrimi tek telefonat fiks ka qenë e drejt vetëm e prindërve. E nëse binte telefoni, ngrihej zëri i tyre prej së largu duke thirrur: Mos të përgjigjet askush!
Në të kaluarën, Babi ishte trup-madh, një shikim prej syve të tij na bënte të heshtim, e ndërsa e qeshura e tij ishte si një ditë feste apo gëzimi për mbarë shtëpinë.
Në të kaluarën, hapat e Babit teksa vinte drejt dhomës ishin të mjaftueshëm që të na zgjojnë nga gjumi sado i thellë që ishte.
Në të kaluarën, shkollat ishin aq të afërta edhe përkundër shumë kilometrave që duhej kaluar për të arritur deri tek ajo. Çdo mengjes dhe mbrëmje rrugëtonim disa kilometra për tek shkolla dhe për t’u kthyer në shtëpi. Nuk kishim nevojë për autobus me kondicionerë dhe as që frikësoheshim për vetën tonë.
Në të kaluarën, bredhnim dhe loznim nëpër lagje dhe nuk shqetësoheshim se çka do të ndodhte.
Në të kaluarën, nuk kishte mikrobe në karrocierët që shisnin nëpër lagjet tona. E as që dinim se na bakterie nëpër dyshemet e shtëpisë edhe pse ato ishin nga dheu.
Në të kaluarën, për sëmundjet nga të cilat vuajmë, nuk kishim dëgjuar për to as nëpër televizionet tona.
Në të kaluarën, nuk kishim nevojë për pastrues dhe dezinfektues që çdo dy orë të pastrojmë duart. Por, prapë nuk sëmurëshim dhe ishim më të shëndosh.
Në të kaluarën, edhe Nëna edhe Mësuesi kishin autoritet para të cilëve përulnim kokat tona.
Në të kaluarën, edhe vizoria e gjatë prej druri kishte autoritetin e saj, para së cilës na dridhëshin duart.
Në të kaluarën, edhe pse kishim dhimbje nga goditjet e mësuesve, kjo na bënte të mësonim tabelat e shumëzimit, rregullat e gjuhës dhe ligjet e fizikës.
Në të kaluarën, mësonim shumë më shumë edhe pse ishim në moshë të re dhe nuk kishim kushte mësimi.
Në të kaluarën, fëmijët e fqinjëve trokitnin derën për të kërkuar vezë, qepë, domate apo patate. Ishim vëllezër në mur, e në gur, ishim vëllezër edhe në kafshatë të gojës sonë.
Në të kaluarën, ora dhjetë e mbrëmjes ishte orë gjumi për rrugët tona. Dyert e shtëpive ishin të hapura për mikun, fqiun, e farefisin.
Në të kaluarën, mirëseardhja që u dëshirohej mysafirëve, që priteshin krah hapur, dëgjohej deri në skaj të rrugës.
Në të kaluarën, shkëmbenim pjatat e mbushura ushqim ndërsa sot shkëmbejmë dyshime dhe përgojime.
A e kuptuat tani se për çfarë kohë të bukura, që kanë kaluar, jam duke iu treguar…?
Po pra, ato kohë ishin kohë frymëzimi plot jetë e gjallëri që u zëvendësuan me të ashtu quajturen “kulturë”, “civilizim”, e “demokraci”.
Kulturë që na ka bërë të veshim rrobat më të shtrenjta e të zhveshim edhe vlerat më të ulëta njerëzore e shpirtërore….

SHPËRNDAJE