Kanalizimi tek “Xhamia e Llapit” rrezik për banorët, Komuna e Prishtinës hesht (Foto)

Një depozitë e madhe e kanalizimit, e cila gjendet përballë Xhamisë së Llapit në Prishtinë është kthyer në një kundërmim të erës së rëndë, si dhe rrezik për këmbësorët, pasi për shkak të dëmtimit të kapakut të saj janë krijuar hapësira të mëdha.

Për këtë problem në një prononcim për Telegrafin janë ankuar edhe banorët e kësaj lagje të cilët janë të shqetësuar për hapjet e mëdha të kapakut të kanalizimit.

Banori, Gezim Shulemaja ka thënë për Telegrafin se kanalizimi i cili është dëmtuar është bërë i rrezikshëm edhe për fëmijët.

Ai tha se edhe era e rëndë është e padurueshme, pasi ekziston rrezikshmëria që kalimtarët të marrin infeksione nga bakteret e kanalizimit.

“Ka kohë që është prishur kapaku i kanalizimit dhe askush s’po merret me këtë çështje”, tha ai, duke kërkuar nga Komuna e Prishtinës që të marrin masa të menjëhershme.

Edhe një tjetër banor i kësaj zonë, Kushtrim Bytyqi, thotë se është më mirë të intervenohet menjëherë se sa të paraqiten probleme tjera.

“Gjatë natës kalimtarët mund të mos e shohin kanalizimin dhe të bien brenda. Është hapësirë e madhe. Kjo duhet patjetër të rregullohet”, ka thënë banori Bytyqi.

Ndërkaq, Telegrafi, ndonëse ka tentuar disa herë – për një periudhë gati trejavore – që të merr një përgjigje nga zyrtarët e Komunës së Prishtinës në lidhje me këtë çështje, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.