Kanadaja sanksione të reja për regjimin e Asadit

Ministrja e Jashtme e Kanadasë, Chrystia Freeland njoftoi se në kuadër të sanksioneve të aplikuara ndaj regjimit të Asadit në Siri, është marrë vendimin për ngrirjen e pasurisë së 27 zyrtarëve të lartë dhe zbatimin e ndalimit të tregtisë për këta persona, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë me shkrim, Freeland, duke theksuar se janë duke punuar për përfundimin e luftës së brendshme në Siri dhe për ta mbështetur popullin sirian, ka bërë të ditur se në listën e të sanksionuarve nga regjimi i Asadit, e cila përbëhej nga 190 persona, tani janë shtuar edhe 27 persona të tjerë.

“Këta persona janë zyrtarë të lartë të regjimit të Asadit. Shtimi i tyre në listën e sanksioneve është një pjesë e presioneve ndërkombëtare ndaj regjimit të Asadit, i cili para pak kohësh ushtroi dhunë të pakufizuar, si ajo dhuna kimike ndaj popullit të vet”, thuhet në njoftim.