Kanadaja kundër kthimit të Rusisë në grupin G8

Kanadaja ka kundërshtuar idenë që Rusia të kthehet në grupin G8, duke theksuar se ajo nuk duhet të mirëpritet përsëri derisa të tregojë se është “e përkushtuar ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit”, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në konferencën e përbashkët për media në Ottawa me sekretarin amerikan të shtetit, Mike Pompeo, ministrja e Punëve të Jashtme e Kanadasë, Chrystia Freeland, tha se vendi i saj ka një “qëndrim shumë të qartë” ndaj Rusisë dhe G7-tës.

“Shkelja e ligjit nga Rusia në pushtimin e Krimesë dhe aneksimi i saj, si dhe vazhdimi i mbështetjes së luftës në Donbas është diçka që nuk mund ta lejojmë të mbetet dhe kjo është arsyeja pse Rusia u përjashtua nga G7-ta, për shkak të këtij veprimi”, tha Freeland.

Ajo theksoi se mënyra për t’u kthyer Rusia në G8 është “të lëshojë Krimenë dhe t’i japë fund luftës në Donbas”, në lindje të Ukrainës.

Komentet e kryediplomates kanadeze vijnë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, mbrojti kthimin e Moskës në grupin e ekonomive më të mëdha botërore, SHBA-ve, Mbretërisë së Bashkuar, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë, të riemëruar G7 pas largimit të Rusisë.

Rusia u përjashtua nga G8-ta në vitin 2014 për shkak të aneksimit të paligjshëm të Krimesë, si dhe mbështetjes së saj politike dhe ushtarake për separistët në Donbas.

Të shtunën është caktuar që udhëheqësit e G7-tës të mblidhen në qytetin bregdetar francez Biarritz për një samit dy-ditor.

Ukraina është shkatërruar nga konflikti në rajonet e saj lindore që nga aneksimi i Krimesë nga Rusia. Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), që nga viti 2014 rreth 13 mijë njerëz janë vrarë në konflikt.

Përveç OKB-së, SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian (BE), po ashtu edhe Turqia nuk e njeh Krimenë si territor rus.