Kanadaja-Iranit: Kompenso familjarët e viktimave të avionit të rrëzuar

Kryeministri kanadez, Justin Trudeau tha se qeveria e tij do të ndajë fonde për familjarët e 57 kanadezëze dhe 29 banorëve me qëndrim të përhershëm në vendin e tij, që humbën jetën në avionin që u rrëzua në Iran javën e kaluar.

Trudeau shtoi se pret ende që Irani të kompensojë familjet e viktimave. Ai tha se paratë e ofruara prej tyre do të ndihmojnë familjarët të mbulojnë shpenzimet për funeralet dhe udhëtimet për në Iran, ndërsa fondet e tjera që do të mund të ofroheshin nga Teherani do të shkonin direkt për familjarët e viktimave.

“Dua të jem i qartë, ne presim që Irani të kompensojë familjarët e viktimave. Por, unë i kam takuar ata. Ata nuk mund të presin për javë të tëra, ata kanë nevojë për mbështetje”, tha Trudeau.

Irani zyrtar për disa ditë mohoi të ketë lidhje me rrëzimin e avionit të “Ukrainian Airlines”, ku humbën jetën 176 pasagjerë dhe pjesëtarë të stafit, por pas publikimit të videove dhe lajmeve nga shërbimet e inteligjencës së SHBA-së dhe Kanadasë, autoritetet pranuan përgjegjësinë duke thënë se ngjarja ishte tërësisht aksidentale./Opinion.al