Kameramani sirian i nominuar për Oscar nuk lejohet të hyj në Shba

Kameramani i ri sirian Khaleed Khateeb, i cili me filmin “Helmetat e Bardha” (The White Helmets) u nominua për çmimin e sivjetmë Oscar, nuk u lejua të udhëtojë në ndarjen e çmimit prestigjioz në ShBA.

Khateeb (21) duhej të nisej nga Stambolli për në Los Angeles, të dielën, më 26 shkurt, për të marrë pjesë në ndarjen e çmimit Oscar.

Filmi “Helmetat e Bardha” u nominua për “Statujën e Artë” në kategorinë e dokumentarit më të mirë të shkurtër, shkruan AA.

Por, Khateeb nuk arriti të udhëtojë për Los Angeles. Ai në profilin e tij në Twitter shkroi se, pasi që ka kaluar tre ditë në aeroportin e Stambollit, edhe pse posedon vizë për ShBA, nuk i është dhënë ‘dritë e gjelbër’ për të fluturuar për në Los Angeles.

Ndërkohë, agjencia Associated Press raporton se Departamenti për Sigurinë e Brendshme të ShBA-së në momentin e fundit ka penguar ardhjen e tij në Los Angeles.

Filmi “Helmetat e Bardha” është një film në lidhje me “mbrojtjen civile siriane”, pra për operacionet e shpëtimit të civilëve nga sulmet ajrore të regjimit sirian dhe forcave ruse.