Ka tri shtëpi e shumë tokë, Haradinaj: Nuk e kalkuloj pasurinë time

Kryeministri në largim i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se “ana materiale nuk e përmbush mjaftueshëm anën shpirtërore”, në një përgjigje lidhur me pasurinë e tij materiale.

I pyetur për pasurinë e tij në emisionin “N’Konak”, Haradinaj ka thënë se paratë janë relative.

“Pasuria është relative. Ajo ana materiale nuk e përmbush mjaftueshëm shpirtin. Unë kam atë çfarë kam, nuk i kalkuloj ato. Është komplementar elementi material i imi”, ka deklaruar ai.

Por Haradinaj ndonëse nuk e kalkulon pasurinë e tij, këtë proces e bën Agjencia Kundër Korrupsion.

Lajmi.net ka raportuar para disa ditësh për pasurinë e madhe të Haradinajt që e ka deklaruar në AKK.

Nga ajo që shihet, Haradinaj ka tri shtëpi, tokë, dhe merr mijëra euro në muaj nga qeraja.