Johnson: Soleimani paraqiste kërcënim për interesat tona

Gjenerali iranian Qassem Soleimani “përbënte një kërcënim për të gjitha interesat tona” dhe ishte përgjegjës për mënyrën e sjelljes shkatërruese dhe destabilizuese në rajon, tha kryeministri britanik Boris Johnson të dielën, raporton Anadolu Agency (AA).

Johnson, i cili deri më tani kishte heshtur mbi vrasjen e mëngjesit të së premtes të komandantit në një sulm me dron amerikan në Bagdad, tha se Soleimani luajti një “rol udhëheqës” në veprimet që kanë çuar në “vdekjen e mijëra civilëve të pafajshëm dhe stafit perëndimor. Ne nuk do të vajtojmë për vdekjen e tij”.

“Sidoqoftë, është e qartë se të gjitha thirrjet për hakmarrje ose reprezalie thjesht do të çojnë në më shumë dhunë në rajon”, tha ai, duke shtuar se Britania e Madhe është në kontakt të afërt me të gjitha palët për të inkurajuar çfarëdo de-eskalimi të mundshëm.

“Do të flas me liderët e tjerë dhe me miqtë tanë irakianë për të mbështetur paqen dhe stabilitetin”, tha Johnson.

Ai shtoi se Britania e Madhe ka ndërmarrë hapa për të rritur sigurinë në rajon për të mbrojtur stafin dhe interesat britanike.

Sekretari i Jashtëm, Dominic Raab, më parë të dielën i kërkoi Iranit të kërkonte rrugë diplomatike për të ulur tensionet pas vrasjes së Soleimanit.

Duke folur në BBC, Raab tha se Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump dhe homologu i tij francez Emmanuel Macron “e lanë derën e hapur për një rrugë diplomatike, që përmes kësaj Irani të ketë në një vend më të mirë”, por Teherani refuzoi.

Ai theksoi nevojën për uljen e tensioneve dhe përpjekjet për rivendosjen e stabilitetit, si dhe kërkoi nga Irani të përmbahet nga “veprime të ulta”.

“Irani ka qenë për një periudhë të gjatë në aktivitete kërcënuese dhe destabilizuese”, shtoi ai.

Mbretëria e Bashkuar në të njëjtën linjë me SHBA

Raab foli veçmas për Sky News, duke thënë se Britania e Madhe ishte “në të njëjtën linjë” me SHBA në lidhje me vrasjen e Soleimanit.

“Le të jemi shumë të qartë: ai ishte një kërcënim rajonal dhe ne e kuptojmë pozicionin në të cilin u gjetën amerikanët dhe ata kanë të drejtë për vetëmbrojtje. Ata kanë shpjeguar bazën mbi të cilën është bërë, dhe ne e kuptojmë për situatën në të cilën gjenden”, tha ai.

Ndërkohë, Zyra e Jashtme dhe Commonwealth (FCO) azhurnoi këshillat e tyre të udhëtimit për Irak për qytetarët britanikë.

“Puna e parë e çdo qeverie është të kujdeset për sigurinë e popullit britanikë”, tha Raab në një deklaratë.

Ai shtoi se duke pasur parasysh “tensionet e larta” në rajon, FCO këshilloi shtetasit e Britanisë që të mos udhëtojnë në Irak me përjashtim të qeverisë rajonale kurde dhe të konsiderojnë me kujdes nëse është i rëndësishëm udhëtimi për Iran.

Dërgohen anije luftarake në Gjirin Persik

Dy anije luftarake britanike janë dërguar në Gjirin Persik për të mbrojtur anijet dhe qytetarët, njoftoi të shtunën Sekretari i Mbrojtjes, Ben Wallace.

“Sipas ligjit ndërkombëtar, Britania e Madhe ka të drejtë të mbrohet kundër atyre që paraqesin kërcënim të menjëhershëm për qytetarët e tanë”, shtoi Wallace.

Marina Mbretërore e Britanisë shoqëroi anijet me flamur britanik përmes ngushticës së Hormuzit në korrik të vitit të kaluar pas konfiskimit të Iranit të një anije me flamur britanik.

Konfiskimi erdhi si hakmarrje për kapjen e një tankeri me flamuj iranian pranë Gjibraltarit, një territor britanik. 

Tensionet midis SHBA-së dhe Iranit janë rritur pas vrasjes së komandantit të forcave elitare të Gardës Revolucionare Islamike, Kuds, kur një dron amerikan goditi kolonën e tij përpara aeroportit të Bagdadit herët të premten. Soleimani u vra së bashku me Abu Mahdi al-Muhandis, komandantin e lartë të forcave Hashd al-Shaabi të Irakut dhe tetë të tjerë.

Të shtunën, Trump kërcënoi se do të godiste objektivat iraniane në përgjigje të çdo hakmarrjeje ndaj shtetasve ose pronave të SHBA-së.