Jerusalem, 79 palestinezë të lënduar para xhamisë Al-Aksa

Të paktën 79 persona u plagosën gjatë intervenimit të policisë izraelite para xhamisë Al-Aksa, raporton Anadolu Agency (AA).

Forcat izraelite kanë përdorur plumba gome, bomba zhurmuese dhe gaz lotsjellës për të shpërndarë palestinezët të cilët para Al-Aksës ishin duke pritur për të falur namazin e akshamit.

Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze thekson se gjatë intervenimit janë lënduar 79 palestinezë, dy prej të cilëve janë në gjendje të rëndë. Dëshmitarët okularë thonë se disa palestinezë janë arrestuar.

Policia izraelite arreston 10 aktivistë palestinezë në Jerusalemin Lindor

Policia izraelite arrestoi një grup të palestinezëve, përfshirë edhe një anëtar të lëvizjes së Këshillit Revolucionar Fattah dhe ish-ministrin palestinez Hatem Abdulkadir.

Kryetari i Shoqatës së të Burgosurve Palestinezë Nasir Kavs ka konfirmuar për AA se policia izraelite ka arrestuar 10 aktivistë palestinezë në Jerusalemin Lindor.

Kavs tha se në mesin e të arrestuarve, përpos ish-ministrit Abdulkadir, është edhe Sekretari i Përgjithshëm i Fattahut në Jerusalem Adnan Gejve, kryetari i Komitetit të familjeve të të burgosurve palestinezë Emced Ebu Asah, dhe kryetari i Komisionit kundër Judaizmit Al-Nasser Hedmi.

Forcat izraelite të sigurisë të hënën, pas katër ditësh, hoqën ndalesën për hyrje në qytetin e Vjetër në Jerusalemin Lindor, por tensionet e larta në rajon ende vazhdojnë.

Popullata lokale muslimane në kompleksin Al Aksa nuk ka mundur të hyjë nga e premtja deri të hënën, kurse forcat izraelite të dielën në hyrje të kompleksit ngritën pika kontrolli shtesë me detektorë metali. Palestinezët protestojnë ndaj këtyre masave dhe refuzojnë të hyjnë në kompleks, por lutjet i kryejnë para kompleksit.

Kriza u përshkallëzua të premten e kaluar në mëngjes, kur policia izraelite vrau tre palestinezë para dhe në kompleksin Al-Aksa, ku e gjitha rezultoi me trazira të përgjithshme në të cilat u plagosën disa njerëz, përfshirë dy policë izraelitë të cilët ndërruan jetë rrugës për në spital.

Policia izraelite më pas urdhëroi mbylljen e kompleksit Al-Aksa ndërsa palestinezët për herë të parë që nga pushtimi i vitit 1967 namazin e xhumasë e falën jashtë mureve të qytetit të vjetër.