“Jeremiq s’mund të zgjidhet sekretar”

Konsulli kosovar në Nju Jork u ka dërguar letër të gjitha vendeve anëtare të OKB-së përmes së cilës kërkon që Vuk Jeremiq mos të zgjidhet për sekretar të ri të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB).

Konsulli, në fakt, e ka përcjellë letrën e Shoqatës së Familjeve të të Zhdukurve gjatë luftës në Kosovë, shkruan lajmi.net.

“Ne, përfaqësuesit e familjeve të të zhdukurve u bëjmë thirrje të gjitha vendeve anëtare të OKB-së që mos ta zgjedhin Vuk Jeremiqin për sekretar të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në fillim të letrës.

Siç thuhet, “Jeremiqi është person i papërshtatshëm për atë pozitë, sepse vije nga vendi që ka shkaktuar gjenocid gjatë luftës në Kosovë dhe qëllimisht familjeve të të zhdukurve ua ka mohuar mundësinë që të dinë për fatin e me të dashurve”.

Për shkak të kësaj, thuhet në letër, zgjedhja e Vuk Jeremiqit do të ishte lëndim për të gjitha familjet e të zhdukurve të vrarëve.

Nënshkrues të letrës janë koordinatori i Këshillit të familjeve të të zhdukurve, Bajram Çerkini, përfaqësuesja e Shoqatës “Thirrjet e Nënave”, Nysrete Kumnova, kryetari i Shoqatës për zbardhjen e fatit të të zhdukurve, Haki Kasumi dhe Hysen Hyseni nga Shoqata “Zëri i prindërve”.

“Vuk Jeremiq, i cili ka lindur dhe është rritur në Serbi, ndodhet në pozitat më të larta në politikën serbe dhe është njëri nga përgjegjësit për gjenocid gjatë viteve të 90-ta në hapësirën e ish Jugosllavisë, krime të cilat përveç qindra mijëra viktimave kanë lënë edhe më shumë se 40 mijë të zhdukur”, thuhet në letër.