“Jemi të gatshëm të diskutojmë çdo çështje në Astana”

Presidenti i Sirisë, Bashar al Asad, ka deklaruar se janë të gatshëm të negociojnë çdo çështje në bisedimet që do të zhvillohen mes palëve konfliktuese në kryeqytetin e Kazakistanit, Astana, raporton Anadolu Agency (AA).

Asad në një intervistë të dhënë në shtypin francez dhe të publikuar ditën e sotme nga agjencia zyrtare e lajmeve SANA e Sirisë, ka vënë në dukje se kanë ndërmend të dërgojnë delegacion kur të përcaktohet data e negociatave politike në Astana.

“Nuk ka kufi për negociatat, ku do të flitet për ti dhënë fund krizës apo për të ardhmen e Sirisë. Por nga ana tjetër kush do të jetë në tryezë? Këtë ende nuk e dimë. A do të jetë opozita e vërtetë e Sirisë?. Kur them e ‘vërtetë’ e kam fjalën për ata që i kanë rrënjët në Siri. Pra jo francez, saudit apo britanik. Suksesi i negociatave varet nga kjo”, është shprehur Asad.

Ndërsa pyetjes nëse është i gatshëm që të bisedohet edhe për çështjen e presidencës së tij, Asad i është përgjigjur:
“Po, por pozicioni im është i lidhur me kushtetutën. Mekanizmi në kushtetutë për të sjellë apo për të shpëtuar nga presidenti është shumë i qartë. Pra nëse dëshirojnë të diskutojnë mbi këtë çështje duhet të flasin për kushtetutën e cila nuk i përket as qeverisë, as presidentit dhe as opozitës. Ajo duhet ti përkasë popullit të Sirisë. Kjo mund të jetë një prej pikave që mund të diskutohet në takim (në Astana). Por nuk mund të shprehen se ‘e dëshirojmë apo nuk e dëshirojmë presidentin’. Sepse presidenti është i lidhur me kutitë e votimit. Nëse nuk e dëshironi shkojmë drejt kutive të votimit.”