“Jelekët e verdhë” vazhdojnë protestat në Evropë

Protestuesit francezë nga të ashtuquajturit “jelekë të verdhë”, si dhe mbështetësit e tyre holandezë dhe suedezë, sërish dolën në rrugë duke protestuar për pakënaqësitë e tyre të cilat po trondisin rajonin, raporton Anadolu Agency (AA). Në shenjë proteste kundër brutalitetit policor dhe përdorimit të gazit lotsjellës, disa protestues që marshuan në qendër të Parisit pësuan nga gazi lotsjellës të cilin e përdorën forcat e sigurisë, të cilat më vonë ushtruan forcë mbi protestuesit në Place de la Republique, ku u arrestuan dhjetë persona. Situatë e tensionuar ishte edhe në protestat në qytetet Nantes dhe Valence, ku autoritetet njoftuan arrestimin e 18 protestuesve. Dy policë mbetën të lënduar gjatë protestave në Nantes. Shtabi i policisë së Parisit tha se në kryeqytet janë arrestuar 22 persona. Sipas të dhënave të cilat i publikoi Ministria e Brendshme, në protesta e së shtunës në Francë morën pjesë 58.600 njerëz. Kompania Occurence, që merret me analizimin e masivitetit të tubimeve, tha se në protestat në Paris kanë marrë pjesë 13.800 njerëz. Paralelisht me protestat në Francë, rreth 500 protestues të “jelekëve të verdhë” zhvilluan protesta antiqeveritare në qytetin holandez të Mastrihtit. Policia arrestoi një protestues për ofendimin e forcave të sigurisë, ndërkohë që një person mbeti i plagosur nga përdorimi i fishekzjarrëve. Protesta kishte edhe në Stokholm të Suedisë, ku morën pjesë rreth 200 protestues të pakënaqur nga siç thanë, pabarazisë ekonomike dhe privatizimit. Nuk janë raportuar viktima as të plagosur. Protestat e “jelekëve të verdhë”, të cilat filluan më 17 nëntor 2018 si një reagim ndaj rritjes së taksave të karburantit dhe u zhvilluan në një kryengritje kundër presidentit francez, Emmanuel Macron, janë shndërruar në protestat më të dhunshme të viteve të fundit në vend. Që nga 17 nëntori, mijëra protestues të quajtur “jelekët e verdhë”, tubohen në qytetet kryesore franceze, përfshirë kryeqytetin Paris, për të protestuar ndaj rritjes së diskutueshme të taksave të karburantit dhe përkeqësimit të gjendjes ekonomike. Sipas të dhënave, në protesta kanë humbur jetën 11 persona dhe mbi 2.000 janë plagosur, ndërsa mbi 6.000 të tjerë janë ndaluar.