Javid: Trump të shqetësohet për shkallën e krimit në SHBA

Ministri i Brendshëm i Britanisë së Madhe, Sajid Javid, duke folur rreth deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump, i cili për rritjen e shkallës së krimit në Londër fajtorë e konsideron kryebashkiakun e Londrës Sadiq Khan, tha se ai duhet të shqetësohet për shkallën e krimit në vendin e tij, transmeton Anadolu Agency (AA).

Javid, me origjinë nga Pakistani, një nga kandidatët kryesorë për pozitën e liderit të Partisë Konservatore, në një takim me përfaqësuesit e partisë foli edhe rreth deklaratave të Trump-it.

Mediat lokale raportuan se ministri britanik tha se postimet e Trump-it në twitter në lidhje kryebashkiakun e Londrës nuk i ngjasojnë një “presidenti të një vendi të madh”.

“Presidenti i SHBA me të drejtë është shqetësuar për dhunën e shprehur, por duhet të shqetësohet për dhunën ekstreme në vendin e tij, e cila është dhjetë herë më e madhe se në Britani të Madhe”, tha Javid.

Trump dy ditë më parë, pas vrasjeve që ndodhën në Londër, tha se Londra ka nevojë për një kryebashkiak të ri.

“Khan është një katastrofë e vërtetë dhe është duke shkuar edhe më keq”, shkroi Trump.

Presidenti i SHBA Trump ka kritikuar edhe më parë kryebashkiakun e Londrës Khan, të cilën e bëri dhe gjatë vizitës së fundit në Londër. Me këtë rast kryebashkiakun Khan e krahasoi me Guvernatorin e New York-ut, Bill de Blasio, duke shtuar se dallimi është vetëm në faktin se Khan “është dy herë më i ulët”.

Nga ana tjetër, kreu i Londrës gjithashtu është një kritik i madh i politikave të presidentit të SHBA-ve, Trump, të cilin e ka krahasuar me diktatorët evropianë nga periudha midis dy luftërave botërore. Khan gjithashtu ka thënë se Trump nuk meriton të pritet në Londër me qilim të kuq.