Jasharaj paralajmëron grevë të përgjithshme nga janari, nëse pezullohet ligji për pagat

Të gjitha universitetet, shkollat, e çerdhet në Kosovë të premten janë në grevë dy orëshe.

Këshilli Drejtues i SBASHK-ut ka njoftuar se kanë autorizuar kryetarin e SBASHK-ut dhe kryesinë që në koordinim me Federatën e Sindikatës së Shëndetësisë dhe atë të Policisë të nisin bashkërisht me veprime sindikale.

Kjo grevë vie pasi Avokati i Popullit dërgoi në Gjykatën Kushtetuese Projektligjin për Pagat.

Por, nëse Kushtetuesja pezullon këtë ligj, kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka paralajmëruar greve të përgjithshme nga janari.

Në një prononcim për lajmi.net, Jasharaj ka thënë se vendim për grevë dy orëshe, i cili do të zbatohet të premten është paralajmërimi i fundit për institucionet. Duke shtuar se në rast se ligji i pagave nuk zbatohet ata do të hyjnë në grevë të përgjithshëm nga janari.

“Vendimi momental i Këshillit Drejtues të SBASHK dhe kryetarëve është vetëm për të premten. Këto veprime po i bëjmë në koordinim edhe me Sindikatën e Shëndetësisë, por edhe me Federatën e Sindikatës së Policisë, d.m.th sa e di unë janë edhe koleget nga shëndetësisë, por edhe të gjithë të punësuarit në sektorit të arsimit do të jemi në greve. Kjo është greve paralajmëruese që institucionet mos të na dërgojnë tutje me greva sepse nuk dëshirojmë përsëritje si ajo greva e janarit tri javore të cilën e din të gjithë, por i tërë ky angazhim i yni është në mbrojtje të ligjit për të cilin jemi angazhuar më muaj të tërë. Dhe po them edhe një herë punëtorët e arsimit, po flas tani vetëm për ta, do të jenë tepër të zhgënjyer nëse ndodh diçka. Po them urojë që të behët diçka një zgjidhje e pranueshme, përndryshe unë dhe Z.Blerim Syla nga Sindikata e Shëndetësisë, Z.Tasholli nga ajo e policisë e të tjerë jemi të obliguar që të veprojmë sipas kërkesave të anëtarëve tonë dhe ne do të qëndrojmë në ballë të veprimeve që i kërkon anëtarësia”, ka thënë Jasharaj

Jasharaj tutje ka thënë se Kushtetuesja nuk është mirë që eventualisht ta pezullojë ligjin për paga, por të filloj së implementuari ligji, duke shtuar se Kushtetuesja duhet të jep rekomandimet, gabimet eventuale të përmirësohen në Kuvendin e Kosovës.

Përveç punëtorëve të arsimit, në grevë nesër do të hyjnë edhe Sindikata e Shëndetësisë dhe ajo e Policisë.