Japonisë rrezikon t’i zhduket tradita shekullore, po i mungojnë ninxhat (Video)

Për shkak të fluksit të madh të turistëve që dëshirojnë t’i shohin për së afërmi ninxhat, Japonisë po i mungojnë këta luftëtarë të trajnuar mirë, shkruan Independent.

Ninxhat legjendare të Japonisë janë të njohur për sekretet dhe aftësitë për të qenë të “padukshëm”. Megjithatë ekspertët e sporteve marciale janë të brengosur, dhe pranojnë se ninxhat mund të zhduken plotësisht pasi po u mungojnë luftëtarë të talentuar, transmeton Telegrafi.

Me rritjen e numrit të turistëve në Japoni, po rriten edhe kërkesat për këta luftëtarë të famshëm që do t’i demonstronin aftësitë e tyre luftarake para masës, por dita ditës është duke u bërë më e vështirë gjetja e kandidatëve potencial, që janë të specializuar në këtë fushë.

Takasugu Aoki, ekspert i arteve marciale në Nagoji, thotë se “ka filluar të rriten kërkesat për ninxha, por po vërehet shumë mungesa e këtyre luftëtarëve”.

Ai është i brengosur edhe për faktin që as trajnerët e tyre, që do të duhej të trajnonin kandidatët nuk janë më të zotë sa i përket aftësive luftarake.

Trajnerët do të duhej të ishin të aftë ta luftojnë armikun pa përdorur kurrfarë arme, të fshihen, të ofrojnë ndihmë, si dhe duhet të dinë gjithçka për armët e ftohta duke filluar nga shpatat e deri te thikat e mprehta.

Edhe pse jemi mësuar të dëgjojmë dhe shohim nëpër filma se si ninxhat kanë aftësi të jenë të padukshëm dhe të ecin mbi ujë, një gjë të tillë trajnerët e tyre nuk mund t’i bëjnë. Edhe pse ndër shekuj kanë fituar epitetin e luftëtarëve të frikshëm, në kohën e feudalizmit në Japoni, janë marrë kryesisht me spiunazh.

Ata fillimisht merreshin me mbledhjen e informacioneve për “eprorët” e tyre, kurse aftësitë luftarake kanë qenë opsionet e fundit. Gjithashtu kanë qenë shumë të zot në përdorimin e shigjetave të helmueshme.

Ata për herë të parë ishin paraqitur në shekullin e 15-të gjatë luftës civile, dhe kanë qenë të angazhuar në spiunim, sulme dhe vrasje.

Me kalimin e kohës filluan të shoqërohen me njerëz në pozita të larta, dhe kështu filluan të marrin detyra të ndryshme dhe të kontrollojnë territore të caktuara. /Telegrafi/