Jamie Shea për sulmet e NATO-s mbi Serbinë, 20 vjet më pas: Bombardimet kanë qenë të justifikuara

Jamie Shea ishte fytyra e NATO-s, të cilën audienca botërore më shpesh kishte mundësinë të shihte.

Bëhet fjalë për njeriun i cili gjatë sulmeve të NATO-s mbi Serbi ishte njeriu tek i cili shumë e shumë njerëz pritnin informata.

Konferencat e tij të rregullta për shtyp në Bruksel, ku shpjegonte qëllimet dhe arritjet e operacioneve ajrore të NATO-s, nuk lanë askënd indiferent.

Dhe në 20-vjetorin e bombardimeve të NATO-s mbi caqet strategjike serbe, përcjell Telegrafi, ish zëdhënësi i NATO-s ka thënë se i vjen keq për dëmet kolaterale, por se siç ka thënë ai “bombardimet kanë qenë të justifikuara”.

“Në situatën e dhunës dhe spastrimit etnik, NATO bëri gjënë e duhur që skenari nga Bosnja nuk do të përsëritej në Kosovë”, ka thënë Shea për BBC.

“Unë shpreh keqardhjen mbi disa detaje, por për shkak të arsyeve të përgjithshme për nisjen e fushatës – 20 vjet më vonë unë jam po aq i bindur për justifikim, ashtu si atëherë”, është shprehur pa ndonjë dilemë Shea.

“Kishte një besim në NATO dhe tek disa kryeqytete të shteteve anëtare që, pas vetëm disa sulmeve ajrore, Millosheviqi zbutet dhe ulet në tryezë. Kur kjo nuk ndodhi, ne duhej të ndryshonim tërësisht planet mediatike dhe strategjinë ushtarake për një operacion shumë më të gjatë”.

“Gjatë javëve të para, ekipi im i vogël dhe unë kishim vështirësi në mbulimin e konferencave dy-tri herë gjatë ditës, marrjen e informacioneve nga përfaqësuesit ushtarakë, si dhe nga shtetet anëtare. Prandaj, një ndihmë ka ardhur nga Londra – Alastair Campbell, këshilltari kryesor i atëhershëm për media i kryeministrit britanik Tony Blair ka ardhur në Bruksel për të fuqizuar forcat e mediave të NATO-s”. /Telegrafi/