Ja të gjitha arsyet pse tetori u vuri flakën protestave në mbarë botën

Disa ngrihen në këmbë pas një rritje të papritur në çmimin e një bilete. Të tjerët, dyshojnë se i kanë mashtruar në zgjedhje. Të tjerët, mendojnë se ua kanë vjedhur shtetin.

Arsyet e trazirave të tanishme nëpër botë janë po aq të larme sa njerëzit që vërshojnë nëpër rrugë.

Bota është në një nivel të lartë proteste tani, thotë për The Economist, Robert O’Brien, profesor i shkencave politike në Universitetin McMaster në Hamilton, shkruan tesheshi.com.

Dhe ai sheh një pikëtakim të përbashkët: pakënaqësitë ndaj marrëveshjeve politike dhe ekonomike.

Ja dhe një vështrim i detajuar lidhur me atë se çfarë po i shtyn njerëzit drejt protestave.

Kostoja e jetesës

Në Kili, protestat kulmuan nga një rritje prej katër përqind në çmimin e biletës së metrosë në kryeqytetin Santiago. Por edhe kur u vendos për ulje çmimi, njerëzit kishin krijuar tashmë listën e pakënaqësive.

Pesë ditë më vonë, dyqanet ushqimore po plaçkiteshin, rrugët po digjeshin dhe u shënuan dhjetëra viktima.

“Kili u zgjua!” brohorisnin protestuesit, ndërsa thirrja kryesore ishte për denoncim të pabarazisë, qasje më të mirë në arsim dhe kujdes shëndetësor dhe rritje të pagave.

Ndërsa shumë mund të mendojnë për Kilin si një vend të pasur dhe politikisht të qëndrueshëm, ai është i rrënuar nga pabarazia ekonomike dhe një hendek të ardhurash që është 65 përqind më i madh se mesatarja e Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD).

Dhjetëra mijëra njerëz dolën në rrugë. Falja e borxheve dhe premtimi i reformave sociale nga Presidenti Sebastián Piñera nuk e shtypi tërbimin. Më pas, ai premtoi rritje të pensioneve, ulje të çmimit të barnave me recetë dhe një pagë minimale të garantuar prej 630 dollarësh. Në fund, protestuesit thanë se po dalin fitues.

Në Liban, një taksë e re për platformën komunikuese falas WhatsApp nxiti zemërim më 17 tetor. Por, si në Kili, ai zhvillim që dukej i vogël, mori hov më të gjerë kundër korrupsionit sistematik, shërbimeve të dobëta publike dhe një krize ekonomike që kishte kolapsuar vendin.

Shkollat, universitetet dhe bizneset u mbyllën për ditë të tëra pasi qindra mijëra njerëz mbushën Sheshin e Dëshmorëve të Bejrutit.

Ashtu si në Kili, Kryeministri Libanez Saad Hariri doli në media dhe premtoi reforma – duke përfshirë ulje të pagës së politikanëve dhe një taksë të re për bankat, e cila do të vihet në funksion të uljes së borxhit publik. Reagimi i protestuesve? Tani është shumë vonë!

“Ne do të qëndrojmë në rrugë derisa të kthehen fondet e plaçkitura publike, derisa qeveria të bjerë,” thoshte një protestues për Reuters.

“Ata po na vjedhin “, thoshte një tjetër.” Më e pakta që mund të bëjmë është mosbindja civile.”

Ka çështje në Liban që banorët i shohin si “vrima e fundit”, thotë O’Brien. Pra, rritja e pagave dhe pak reforma sociale nuk janë të mjaftueshme.

“Sapo njerëzit fillojnë të ndërmarrin veprime, ata mendojnë për një shqetësim dhe pastaj ato shkojnë thellë e më thellë. Kur kjo bëhet në mënyrë të organizuar dhe me përgjegjësi sociale, rezultati nuk ka si të dalë keq”, thotë O’Brien.

Nga Libani shkojmë në Ekuador, aty ku protestuesit po qëndrojnë në rrugë për tash e disa javë. Qeveria atje shkurtoi subvencionet e karburantit në fillim të tetorit, dhe çmimi i gazit u rrit.

Protestat – të udhëhequra nga banorët indigjenë, u kombinuan me zemërimin ndaj korrupsionit, të drejtave të kufizuara dhe diskriminimit kundër banorëve indigjen.

Presidenti Lenín Moreno fillimisht tha se nuk kishte zgjidhje – që subvencionet nuk ishin më të përballueshme. Ai u tërhoq dy javë më vonë, dhe qeveria e re do të shpallet pas zgjedhjeve.

Edhe në Haiti, protestat kanë shpërthyer në të gjithë ishullin, duke lënë të paktën 20 njerëz të vdekur. Zemërimi mbi koston e mallrave bazë, përfshirë benzinën, rriti inflacionin dhe ujiti korrupsionin. Shumica e njerëzve në Haiti fitojnë më pak se 2 dollarë në ditë, ndërsa rreth një e katërta fitojnë më pak se 1 dollarë në ditë.

Drejtuesit e opozitës thonë se ata do t’i vazhdojnë protestat duke vazhduar derisa Presidenti Jovenel Moïse të japë dorëheqjen.

Protestat politike

Protestat në Hong Kong u ndezën në pranverë, dhe që nga atëherë, vendi nuk gjeti qetësi.

E gjitha nisi nga një projekt-ligj që do t’u lejonte banorëve të Hong Kongut të ekstradohen për t’u përballur me gjyqe diku tjetër, përfshirë këtu në territorin e Kinës.

Por edhe pasi liderja e ngatërruar i Hong Kong-ut ra dakord të pezullonte projektligjin në korrik, rrugët ende nuk u zbrazën. Protesta u zgjerua në një luftë më të madhe për demokracinë, duke tërhequr në rrugë plot dy milion njerëz. Liderja e vendit Carrie Lam së fundmi u tërhoq, por situata nuk duket e lehtë as për pasardhësit e saj.

Një vend tjetër që po përballet me protesta është Iraku, ku më shumë se 200 njerëz kanë vdekur dhe mijëra të tjerë janë plagosur në protestat antiqeveritare që shpërthyen në fillim të tetorit.

Trazirat janë nxitur nga zhgënjimi ndaj gjendjes ekonomike me të cilën përballet pjesa më e madhe e vendit. Protestuesit thonë se dolën në rrugë edhe nga dëshira për t’i dhënë fund një sistemi politik që shihet si i nënshtruar ndaj Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Me gjithë pasurinë e naftës që ka Iraku, shumica e qytetarëve janë të varfër dhe kanë qasje të kufizuar në ujë të pastër, energji elektrike, kujdes shëndetësor elementar si dhe edukim.

Parlamenti irakian ka miratuar masa për të qetësuar zemërimin, përfshirë anulimin e të gjitha privilegjeve dhe shpërblimeve për presidentin, kryeministrin, kabinetin, anëtarët e parlamentit dhe zyrtarë të tjerë të lartë, si dhe shpërbërjen e të gjitha këshillave krahinorë dhe lokalë jashtë rajoni tgjysmë-autonom të Kurdistanit.

Protestuesit kanë thënë se kjo është shumë pak dhe shumë vonë. Ata po kërkojnë dorëheqjen e plotë të qeverisë.

Në Etiopi, Kryeministri Abiy Ahmed u bë shënjestra e mijëra protestuesve vetëm dy javë pasi mori Çmimin Nobel për Paqen për reformat e tij.

Njerëzit dolën në rrugë në kryeqytetin Addis Ababa, dhe protestat u përhapën në rajonin e Oromia, në disa raste duke u kthyer në dhunë dhe vdekjeprurëse.

Politika ka qenë gjithashtu shkaku i protestave të fundit në Bolivi, Honduras dhe Guinea.

Në Bolivi, qytetarët që besojnë se Evo Morales i ka vjedhur zgjedhjet e fundit dolën në rrugë duke brohoritur, “Mashtrim, mashtrim, mashtrim”.

Në Honduras, protestuesit kanë kërkuar rrëzimin e Presidentit Juan Orlando Hernández pasi vëllai i tij u dënua për trafik droge, e në dënimin e zbutur ndaj tij ndikoi vet presidenti.

Në Guinea, njerëzit dyshojnë se Presidenti Alpha Condé po përpiqet të ndryshojë kushtetutën e vendit në mënyrë që ai të kërkojë një mandat të tretë në pushtet.

Dhe natyrisht, gjithçka ka të bëjë me politikën në Britani dhe Kataloni, ku protestat përqendrohen nëse vendet duhet të rrinë bashkë apo të ndahen.

Ndjenja Anti-Brexit është dyshimi se votuesit në Mbretërinë e Bashkuar u mashtruan ose u manipuluan gjatë referendumit të qershorit 2016 që rezultoi në një fitore të ngushtë në favor të largimit. Ndërsa ithtarët e largimit duan ta vlerësojnë votën e tyre demokratike për të dalë nga Bashkimi Evropian, uy “divorc” do të kujtohet si jo vetëm më i shtrenjti, por edhe më i gjati në historinë moderne te shteteve evropiane.

Ndërkohë, tubimet pro pavarësisë së Katalonjës u kthyen të dhunshme në muajin tetor, pasi nëntë liderë separatistë Katalanas u dënuan me burg pasi organizuan referendume për ndarjen nga Spanja.

Ndryshimi i klimës

O’Brien thotë se ai sheh lidhje midis të gjitha trazirave ekonomike dhe politike dhe protestave të ndryshimit të klimës që kanë përfshirë të gjitha kontinentet.

Ai tregon se si lëvizja po mobilizon qindra mijëra të rinj rreth pakënaqësisë me institucionet politike të cilat “nuk duket se marrin parasysh interesat e këtij grupi të veçantë, të cilët po flasin për interesat e brezave të ardhshëm”./