Ja si mashtrojnë kompanitë e mëdha të ushqimit

Kompanitë shumëkombëshe të ushqimit dhe pijeve kanë mashtruar dhe keqorientuar blerësit në Evropën lindore prej vitesh, duke u shitur atyre versione inferiore të markave të njohura.

Në një sulm të ashpër ndaj korporatave gjigande, zyrtarja më e lartë e Komisionit Evropian për Drejtësinë dhe Konsumatorët, Vera Jourova deklaroi se ato kanë shkelur në mënyrë flagrante ligjin.

“Për të parën herë ne e themi qartë: kjo është një praktikë tregtare e pandershme. Në shumë raste unë jam e bindur se ligji është shkelur sepse ka një mashtrim të hapur”, tha ajo.

Nga pijet e frutave dhe kotoletat, nga detergjentët e deri tek ushqimet e tjera, versionet lindore të markave që shiten nëpër Evropë në mënyrë të përsëritur kanë rezultuar të jenë inferiore në cilësi krahasuar me ato të shitura në Perëndim, nënvizoi Jurova, duke shtuar se kjo ndodh edhe kur janë të ambalazhuara njësoj.

Zyrtarja premtoi se do të detyrojë kompanitë shumëkombëshe të ndalojë atë që e konsideron një përpjekje për të keqorientuar konsumatorët në Evropën lindore dhe tha se ato kanë dhënë justifikime prej kohësh.

“Coca Cola” për shembull, pijet e së cilës në dyqanet sllovene kanë rezultuar se kanë më shumë sheqer se ato të shitura në Austri, ka deklaruar se ka adoptuar recetën sipas shijeve lokale.

“Spar”, kosi i frutave i cili po në Slloveni ka rezultuar me 40 për qind më pak luleshtrydhe se në versionin austriak, ka deklaruar se prodhonte atë që sllovenët donin. Të tjera marka të njohura si “Lidl”, “Pepsi”, etj, janë përmendur në raporte të ndryshme.

Kompanitë insistojnë se atje ku ka patur dallime në produkte, ato kanë reaguar sipas kërkesës lokale dhe nuk kanë pasur qëllim të keqorientojnë konsumatorët.