Ja sa i paguan Gjermania refugjatët që kthehen vullnetarisht

Qeveria e Gjermanisë ka rritur ndihmat financiare për personat të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil, me qëlim për t’i nxitur që të kthehen në vendet e tyre në mënyrë vullnetare.

Në artikullin e gazetës Bild, thuhet se programi i quajtur “Starthilfe plus” është zgjeruar me qëllim të rritjes së interesimit për kthim të refugjatëve, kërkesat për azil të të cilëve u janë refuzuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Deri më tani, për të rriturit të cilët kanë vendosur të kthehen në shtetet e tyre në mënyrë vullnetare janë dhënë 1.200 euro, kurse për fëmijët deri në moshën 12 vjeçare 600 euro. Në këtë mënyrë thuhet se për një familje që përbëhet nga nëna, babai dhe fëmija jepen gjithsej 3.000 euro.

Më tej thuhet se programi “Starthilfe plus” është zgjeruar me fushatën e quajtur “Shteti yt, e ardhmja jote”. Familjet të cilat dëshirojnë të kthehen në shtetet e tyre nëpërmjet kësaj fushate, e cila do të zgjasë deri më 28 shkurt, do të mbështeten po ashtu me 3.000 euro për përmbushjen e nevojave si qiraja, rinovimi dhe blerja e mobilieve të banjos apo të kuzhinës.

Në këtë mënyrë, në artikull theksohet se një familje e cila dëshiron të kthehet në mënyrë vullnetare në shtetin e saj mund të marrë ndihmë deri në 6.000 euro dhe se në aplikimet personale kjo ndihmë shtesë do të jetë në vlerën prej 1.000 eurosh.

Ministri i Punëve të Brendshme të Gjermanisë, Thomas de Maiziere, tha se refugjatëve të cilëve u janë refuzuar kërkesat për azil mund të përfitojnë nga kjo ofertë.

“Në shtetet e juaja keni perspektivë. Ne po mbështesim me hapa konkretë që ju t’i përshtateni përsëri shtetit tuaj”, tha ai.

Në periudhën shkurt-tetor të këtij viti, në programin “Starthilfe plus” kanë aplikuar vetëm 8.639 persona.