Ja sa eshte pasuria totale e “Komandantëve”

Në bazë të deklarimeve të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion (AKK) del se pasuria e figurave kryesore të UÇK-së që bënë emër në politikë, uniformë e biznes pas luftës kap shifrën e rreth 12 milionë euro.
 Deklarimi në seancën e Kuvendit të Kosovës i deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, hapi një debat të gjerë në media e rrjete sociale për drejtuesit e ish Ushtrisë
Pothuaj të gjithë ata që bënë emër në UÇK në vitet 1998- 1999, pas luftës i hynë jetës publike qoftë në politikë qoftë në uniformën e TMK-së e më pas edhe të FSK-së.
KALLXO.com ka bërë një llogaritje të pasurisë së tyre të deklaruar në Agjensinë Kundër Korrupsionit.
Sylejman Selimi për herë të fundit e ka deklaruar pasurinë në vitin 2013 derisa ishte ambasador në Shqipëri. Si pasuri të paluajtshme ai ka deklaruar tri shtëpi, tokë dhe mal me vlerë 260 mijë euro.
Tashmë Selimi është duke vuajtur dënimin prej 8 viteve pasi në korrik të këtij viti Gjykata Supreme ia zbuti dënimin prej 10 viteve të cilin ia kishte shqiptuar Gjykata e Apelit në vitin 2016 për rastin “Drenica”.
Pas luftës, Selimi ka bërë karrierë si zëvendës komandant i Trupave të Mbrojtjes së Kosovës, komandat i FSK-së dhe ambasador i Kosovës në Shqipëri.
Ish – komandanti i UÇK-së për Zonën Operative të Llapit, Rrustem Mustafa – Remi në deklarimin e pasurisë në vitin 2015 derisa ishte deputet i PDK-së në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar pasuri të paluajtshme me vlerë 509,000 mijë euro, ku janë llogaritur një objekt banimi 500 mijë euro dhe një truall 9 mijë euro.
Kurse si pasuri të luajtshme Mustafa ka deklaruar një veturë personale me vlerë 25 mijë euro.
Vlera e parave të deponuara në institucione të ndryshme financiare të cilën e ka deklaruar Mustafa është 22,700 euro.
Kadri Kastrati gjatë luftës në vitet 1998-1999 ka qenë zëvendëskomandant në Zonën Operative të Llapit, kurse në vitin 2011 ai është emëruar komandant i Forcave të Sigurisë së Kosovës nga ish-presidentja Atifete Jahjaga.
Në vitin 2015 derisa ishte komandant në FSK, Kastrati ka deklaruar 501 mijë euro pasuri të paluajtshme dhe 5700 euro të deponuara në institucione të ndryshme financiare.
Ramush Haradinaj, ish – komandant në Zonën Operative të Dukagjinit, tash kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe deputet në Kuvendin e Kosovës, në vitin 2016 ka deklaruar pasuri të paluajtshme me vlerë 812,300 mijë euro. Si pasuri të paluajtshme ai ka deklaruar një veturë të blinduar ‘AUDI’ me vlerë 9 mijë euro dhe një motoçikletë poashtu me vlerë 9 mijë euro.
Haradinaj gjithashtu ka deklaruar se ka 13 mijë euro para të gatshme në të deponuara në institucione të ndryshme financiare.
Të hyrat vjetore të Haradinajt kapin vlerën prej 18,445 mijë euro. Të gjitha këto nga paga e tij si deputet i Kuvendit të Kosovës, pensioni invalidor dhe qeraja nga shtëpia.
Jakup Krasniqi në vitin 1998-1999 ka qenë zëdhënës i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së. Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës në vitin 2015 si deputet i Kuvendit të Kosovës ka deklaruar pasuri të paluajtshme shtëpi dhe tokë me vlerë 375 mijë euro.
Kurse të deponuara në bankë ka 6,711 euro.
Ahmet Isufi, ish – komandant i Zonës Operative të Karadakut në deklarimin e pasurisë si deputet i Kuvendit të Kosovës në vitin 2014 ka deklaruar 275 mijë euro pasuri të paluajtshme, banesë, shtëpi dhe tokë. Gjithashtu si pasuri të luajtshme ai ka deklaruar një veturë të tipit BMW x5 me vlerë 20 mijë euro.
Në njërën nga bankat në Prishtinë ai ka deklaruar si të deponuara vetëm 150 euro kurse nga qiraja e një lokali që e ka në pronësi në Gjilan, Ahmet Isufi ka deklaruar se merr 1,800 euro.
Agim Çeku ka qenë Shef i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjatë bombardimeve të NATO-s. Me transformimin e UÇK-së në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK) ai u emërua komandant. Si deputet i Kuvendit të Kosovës nga PDK, në deklarimin e fundit të pasurisë në vitin 2017, ai ka deklaruar dy shtëpi banimi dhe tokë bujqësore si pasuri të paluajtshme me vlerë 158 mijë euro.
Si pasuri të luajtshme ai në AKK e ka deklaruar edhe një veturë të tipit BMW x5 me vlerë 100 mijë euro. Kurse te të hyrat vjetore Agim Çeku ka deklaruar pagën që e merr si deputet në Kuvendin e Kosovës me vlerë 24,700 mijë euro si dhe pensionin që e merr nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale si pjesëtar i Trupave Mbrojtëse të Kosovës (TMK) me vlerë 6,700 euro.
Kadri Veseli, është njohur me nofkën “Luli” gjatë luftës së Kosovës, e më pas edhe si kreu i Shërbimit të Intelegjencës së Kosovës (ShIK). Në vitin 2017, ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës ka deklaruar pasuri të paluajtshme me vlerë prej 222 mijë euro. Veseli ka në pronësi edhe një veturë të tipit ‘Jeep’ me vlerë 16,3OO euro.
Ai gjithashtu ka deklaruar në AKK se ka të deponuara një shumë prej 37,328 mijë euro në institucione të ndryshme financiare në qytetin e Prishtinës. Kurse të hyrat vjetore të kryetarit të PDK-së janë 37 mijë euro, 33,036 mijë euro nga paga dhe 3,994 euro nga mëditjet si deputet i Kuvendit të Kosovës.
Sami Lushtaku, ka shërbyer si Zëvendëskomandant i Zonës së Parë dhe si Komandant i Zonës së Parë në Drenicë. Tash kryetari i komunës së Skenderajt ka deklaruar si pasuri të paluajtshme tokë e shtëpi me vlerë 910 mijë euro, në deklarimin e pasurisë të vitit 2017.
Sami Lushtaku u lirua nga burgu në korrik të këtij viti pas vendimit nga Gjykata Supreme. Pasi në fund të vitit 2016 avokati i tij Arianit Koci ishte ankuar kundër vendimit të marrë nga Gjykata e Apelit ku Sami Lushtaku dënohej me 12 vjet burg për rastin “Drenica 1”.
Nga paga e tij si kryetar i komunës ai merr 12,600 euro në vit kurse nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ai merr një pension invalidor me vlerë 2,400 euro.
Rexhep Selimi ka qenë njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe anëtar i Shtabit të Përgjithshëm. Ai më 28 Nëntor 1997 ka bërë paraqitjen e parë publike të UÇK-së.
Selimi tashmë si deputet i Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2017 si pasuri të paluajtshme ka deklaruar dy banesa, tokë bujqësore e truall me vlerë 184 mijë euro. Si pronë të luajtshme ai ka deklaruar një veturë personale ‘Golf 6’ me vlerë 8 mijë euro. Si deputet i Kuvendit të Kosovës ai ka deklaruar se merr pagë vjetore prej 18,655 mijë euro.
Hashim Thaçi, drejtues politik i UÇK-së, i njohur me nofkën “Gjarpri”, tani President i Kosovës, ka deklaruar tokë bujqësore dhe shtëpi si pasuri të paluajtshme me vlerë 260 mijë euro. Në AKK ai gjithashtu ka deklaruar se ka në pronësi edhe një veturë të tipit Audi me vlerë 15 mijë euro.
Sa i përket parave të gatshme, Hashim Thaçi ka deklaruar se ka 306,373 mijë euro të deponuara në banka të ndryshme në Prishtinë.
Poashtu si President i Kosovës ai ka deklaruar se merr një pagë vjetore prej 31,956 mijë euro dhe mëditje me vlerë 8,782 euro.
Zafir Berisha, ish-komandanti i UÇK-së, shefi i shtabit të Brigadës 125 të Zonës Operative të Pashtrikut, tanimë deputet i NISMA-s në Kuvendin e Kosovës me koalicionin PAN. Në vitin 2017 në AKK ka deklaruar si pasuri të paluajtshme, shtëpinë dhe hotelin “Kështjella” me vlerë 680 mijë euro. Ndërsa si pasuri të luajtshme ai ka deklaruar një veturë me vlerë 10 mijë euro.
Të hyrat vjetore të cilat i ka deklaruar Zafir Berisha janë paga dhe mëditjet që i merr si deputet i Kuvendit të Kosovës dhe pagën që e merr nga hotel “Kështjella”. Nga hotel “Kështjella” ai ka deklaruar se merr 6 mijë euro, nga paga si deputet, 19,624 mijë euro kurse nga mëditjet 231 euro.
Shukri Buja, ish-komandanti i Zonës Operative të Nerodimes. Tash deputet në Kuvendin e Kosovës me koalicionin PAN, në vitin 2017 ka deklaruar pasuri të paluajtshme, tokë bujqësore, truall, lokal afarist, banesë, depo me material ndërtimor dhe restorant me vlerë 617,500 mijë euro. Ish-kryetari i Lipjanit te pasuria e luajtshme ka deklaruar një traktor me vlerë 10 mijë euro.
Ai ka deklaruar se posedon 80 përqind të aksioneve tek “Orbita” nga ku merr 1,800 euro dhe posedon gjithashtu 100 përqind të aksioneve te “Bulevardi” ku ai ka deklaruar se merr 0 euro. Shukri Buja sipas deklarimit të pasurisë ka të deponuara 2,000 mijë euro në bankat e Lipjanit.
Nga të hyrat vjetore ai ka deklaruar se merr 24,103 mijë euro nga depoja, tokat me qera, paga dhe lokali afarist.
Nuredin Lushtaku, njëri nga komandantët e UÇK-së nga Skënderaj, deputet i Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e kaluar ka deklaruar tokë, shtëpi, truall, banesë, objekt afaristo banesor dhe kontrollim teknik të automjeteve si pasuri të paluajtshme me vlerë 2,606,000 milionë euro.
Lushtaku ka në pronësi edhe një veturë të tipit ‘Mercedes’, i cili ka vlerën 30 mijë euro kurse para të deponuara në bankë ai ka deklaruar shumën prej 9,223 euro. Tek të hyrat vjetore të Nuredin Lushtakut hyn edhe paga që e merr si deputet me vlerë prej 1,577 euro.
Anton Quni ish-komandant i luftës së Koshares, tash deputet i LDK-së në Kuvendin e Kosovës në vitin 2017 në AKK ka deklaruar banesë, shtëpi, oborr dhe loka afarist si pasuri të paluajtshme me vlerë 412 mijë euro. Kurse si pasuri të luajtshme ai ka deklaruar një BMW x5 me vlerë 15 mijë euro.
Quni ka deklaruar se ka të deponuara 2,080 euro në institucione financiare në qytetin e Prizrenit. Të hyrat vjetore të tij janë 26,351 euro, prej të cilave, 3,360 euro i merr nga pensioni i TMK-së, kurse 22,158 euro i merr nga paga si deputet në Kuvendin e Kosovës dhe 833 euro mëditje poashtu nga Kuvendi i Kosovës.
Ish-komandanti i Brigadës 138 “Agim Ramadani dhe ish- luftëtari i luftës së Koshares, Rrustem Berisha në vitin 2017 ka deklaruar pasuri të paluajtshme me vlerë 847, 375 mijë euro.
Si pasuri të paluajtshme deputeti i Kuvendit të Kosovës ka deklaruar një traktor dhe paisje të tjera bujqësore me vlerë 29,950 euro.
Vlerën prej 964 euro ai e ka deklaruar si të deponuar në institucione të ndryshme financiare në Prishtinë. Berisha si të hyra vjetore ka deklaruar 25,902 mijë euro, shumë kjo që bjen nga paga vjetore si deputet i Kuvendit të Kosovës dhe nga pensioni që e merr nga FSK-ja.
Daut Haradinaj, komandant i Brigadës 131 “Jusuf Gërvalla” në Zonën e Dukagjinit në deklarimin e pasurisë në vitin 2017 si deputet i Kuvendit të Kosovës ka deklaruar si pasuri të paluajtshme, dy shtëpi banimi me vlerë 395 mijë euro.
Një veturë me vlerë 10 mijë euro dhe dhurata të ndryshme me vlerë 16,500 euro ai i ka deklaruar tek pasuria e luajtshme. Si para të gatshme në institucione të ndryshme financiare ai ka deklaruar 7,457 euro.
Kurse të hyrat vjetore të cilat i ka deklaruar Haradinaj janë paga vjetore në Kuvendin e Kosovës me vlerë 20,206 euro, të hyrat nga qiraja e shtëpisë 27 mijë euro dhe mëditjet për udhëtimet zyrtare jashtë vendit nga Kuvendi i Kosovës me vlerë 178 euro.
Ish – lufëtari tjetër i UÇK-së, Fatmir Limaj, i njohur si komandant “Çeliku”, në kohën e luftës në Kosovë ai ka qenë komandant i Brigadës 121 “Kumanova”, e tashmë kryetar i Nismës për Kosovën dhe deputet në Kuvendin e Kosovës. Në AKK në vitin 2017 ai ka deklaruar pasuri të paluajtshme me vlerë 820 mijë euro ku llogariten një shtëpi banimi, një banesë dhe një truall.
Të hyrat vjetore të Limajt janë 16,524 euro të gjitha këto nga paga e tij si deputet i Kuvendit të Kosovës.