Ja çfarë shërbimesh do t’i ofrojë Kosovës kompania e afërt me Trumpin

Kompania e cila po konsiderohet me ndikim te presidenti i SHBA-së, Donalt Trump, e angazhuar nga Zyra e presidentit të Kosovës do të ofroj shërbime të shumta në mbështetje të Kosovës.

Sipas Zyrës për Informim të Presidentit të Kosovës, kompania amerikane “Ballard Partners” me bazë në Florida, me përvojën dhe kontaktet që ka, do të mbështes iniciativat e institucioneve të Kosovës për ballafaqimin më të kaluarën, duke ndihmuar në krijimin e një dinamike të re në procesin e pajtimit.

“Kompania “Ballard Partners” po ashtu do të ndihmojë në modernizimin dhe në transformimin e FSK-së, në një forcë multietnike si dhe në implementimin e përpjekjeve të përbashkëta kundër terrorizmit”, thuhet në përgjigje të Presidencës për lajmi.net.

Sipas kësaj zyre, kompania amerikane do ndihmojë Kosovën në thellimin e bashkëpunimit bilateral mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, zgjerimin e marrëdhënieve bilaterale dhe multilaterale, zhvillimin e ekonomik dhe sigurinë, nxitja e investimeve tregtare etj.Zyra e Presidentit të Kosovës ka sqaruar edhe formën e lidhjes së kontratës me kompaninë amerikane. Sipas tyre, procedurat kanë filluar pas kërkesës që Presidenca i ka bërë Komisionit Parlamentar për Buxhet dhe Financa për ndarje të buxhetit shtesë për angazhimin e një kompanie ndërkombëtare të konsulencës.

“Pas miratimit të buxhetit nga komisioni dhe më vonë nga Parlamenti i Kosovës, përmes ligjit të buxhetit, Presidenca ka zhvilluar procedurat në harmoni me ligjin”, thuhet në përgjigjet e tyre.

Kompani të tilla kanë të gjitha Qeveritë e shteteve të rajonit. Më herët ishte raportuar se Serbia ka angazhuar një kompani lobingu në Uashington dhe Berlin.