Izraeli: Urime Iranit për ndeshjen

Në llogarinë e saj Twitter, Ministria e Jashtme izraelite, e ndjekur më pas edhe nga kryeministri Benyamin Netanyhau, uroi, në gjuhën farsi, ekipin kombëtar të Iranit me rastin e ndeshjes kundër Marokut, në botërorin Rusi 2018.

Ky tuit u shoqërua me një fotografi të sulmuesit iranian, Alireza Jahanbakhsh.

Ndërkohë, në arabisht, e njëjta llogari Twitter, ka përshëndetur edhe ekipin kombëtar të Egjiptit, që luan kundër Uruguajit.

Televizioni shtetëror izraelit, me një veprim të paprecedentë, transmetoi jo vetëm në hebraisht, por edhe në arabisht ndeshjen hapëse të Botërorit 2018 mes Rusisë dhe Arabisë Saudite.

Transmetimi në arabisht u realizua nga dy specialistë futbolli, Ahmed Wahab dhe Jawdat Odeh, të dy qytetarë arabë.

Stacioni shtetëror televiziv izraelit njoftoi para fillimit të botërorit se do të transmetonte falas, në arabisht, ndeshjet e botërorit për të gjithë telespektatorët e botës arabe.

Po dje, si një gjest tjetër çtensionimi drejt vendeve fqinje, Ministria e Jashtme izraelite publikoi një mesazh urimi për ekipin kombëtar të Arabisë Saudite./ a.jor.