Izraeli liron pasagjerët e anijes nga Gaza që protestuan kundër bllokadës

Forcat detare izraelite kanë liruar shumicën e pasagjerëve të anijes që u kapën pas nisjes nga Porti i Gazës të martën duke synuar thyerjen e bllokadës një dekadashe të Izraelit mbi Rripin e Gazës, raporton Anadolu Agency (AA).

Në një deklaratë, Adham Abu Silmiyya, një zëdhënës i Komitetit Kombëtar të Gazës për Thyerjen e Rrethimit, konfirmoi se të gjithë pasagjerët në anije përveç kapitenit janë liruar.

Pasagjerët u kthyen në Gaza përmes kalimit kufitar izraelit Erez.

Abu Silmiyya tha për AA më herët se katër anije detare izraelite kishin rrethuar anijen rreth afro tetë milje detare jashtë brigjeve të Gazës.

Ai tha se Izraeli është “plotësisht përgjegjës” për sigurinë e të gjithëve në bordin e anijes, duke inkurajuar bashkësinë ndërkombëtare të rrisë mbrojtjen e popullit palestinez të rrethuar.

Ushtria izraelite ka konfirmuar se ka kapur anijen, e cila thuhet se është duke u tërhequr në portin izraelit të Ashdodit.

Nuk u raportua asnjë lëndim gjatë interceptimit të anijes, tha ushtria në një deklaratë.

Anija u nis nga Gaza të martën me 20 pasagjerë palestinezë, përfshirë të diplomuar universitarë, të sëmurë që kërkojnë trajtim jashtë vendit dhe palestinezë të plagosur nga dhuna e fundit izraelite pranë gardhit të sigurisë mes Gazës dhe Izraelit.

Anija kryesore u shoqërua nga dhjetëra anije të vogla në një shfaqje sfiduese kundër rrethimit paralizues të Izraelit, i cili ka sjellë Rripin e Gazës në prag të katastrofës humanitare.

Sipas organizatorëve, përpjekja e sotme për të thyer embargon përkon me tetëvjetorin e incidentit të anijes Mavi Marmara më 31 maj të vitit 2010, në të cilin nëntë aktivistë turq u vranë nga forcat izraelite në ujërat ndërkombëtare gjatë përpjekjes për të thyer rrethimin, ndërsa një tjetër aktivist turk ndërroi jetë gati katër vjet më vonë, duke iu nënshtruar lëndimeve të pësuara gjatë bastisjes.