Izraeli arreston nje deputet arab

JERUSALEM (AA) – Policia izraelite ka marrë në pyetje të martën një anëtar arab të Knesetit (Parlamenti) izraelit mbi dyshimet se ka futur fshehurazi në burg një telefon celular të cilin ia ka dhënë një pjesëtari të burgosur të Hamasit, raporton Anadolu Agency (AA).

Radioja izraelite tha se të hënën vonë, policia ka marrë në pyetje deputetin Basel Ghattas i cili është dashur të përgjigjet në akuzat se ka futur fshehurazi një telefon për një të burgosur palestinez në burgun në Ktzi’ot.

Policia e Izraelit, tha radioja e lartpërmendur, i ka shqiptuar deputetit një ndalesë udhëtimi.

Deputeti i partisë “Likud”, Gilad Erdan, njëherësh ministër për Siguri Publike dhe Çështje Strategjike, ka bërë thirrje që Ghattasit ti merret mandati i deputetit, nëse dëshmohet se ka kryer veprën për të cilën akuzohet.

“Mendoj se duhet të veprojmë me mençuri duke vënë në përdorim të gjitha mjetet ligjore që kemi në dispozicion, nëse provat e pretenduara kundër janë prova të besueshme”, citohet Erdan nga e përditshmja Yedioth Ahronoth.

Ai madje ka kërkuar edhe dënim me burg për deputetin arab.

Ghattas nga ana e tij ka mohuar akuzat të cilat i quajti si përpjekje për të minuar lidershipin arab në Izrael.

“Kjo është një përpjekje për të thyer boshtin e arabëve dhe përparimin e tyre politik në këtë vend”, thuhet në kumtesën me shkrim.