Izraeli arreston 7 palestinezë, mes tyre një fëmijë 14-vjeç

Ushtarët izraelitë kanë arrestuar 7 palestinezë në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar, në mesin e të cilëve edhe një fëmijë 14- vjeç, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shoqata e të Burgosurve Palestinezë tha se 7 palestinezë janë arrestuar në bastisjet e forcave izraelite, prej të cilëve dy në qytetet Kalkiliya dhe El Halil të Bregut Perëndimor dhe pesë në Kudsin Lindor.

Në deklaratë thuhet se në mesin e të arrestuarve është edhe një fëmijë 14-vjeç.

Forcat izraelite rregullisht kryejnë bastisje në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor të pushtuar dhe arrestojnë palestinezët me pretendime të ndryshme.

Pas arrestimeve, të cilat janë bërë të përditshme, disa nga palestinezët, përfshirë gra dhe fëmijë, mbahen me ditë të tëra në qendra burgimi.

Sipas të dhënave të burimeve zyrtare palestineze, në burgjet e Izraelit ndodhen mbi 5.000 palestinezë, përfshirë 220 fëmijë dhe 500 të mbajtur nën masën e ashtuquajtur “burgim administrativ”.

Përmes “burgimit administrativ”, Izraeli privon palestinezët nga liria nga një deri në gjashtë muaj, duke u bazuar në informacione të shërbimit informativ. Ky lloj burgimi mund të zgjatet madje deri në 5 vite me vendim të gjykatësit ushtarak pa ngritur aktakuzë, në rast se merret vendim që personi i burgosur “përbën kërcënim për sigurinë e Izraelit”.

SHPËRNDAJE