Izraeli arrestoi mbi 900 fëmijë palestinezë këtë vit

Forcat izraelite këtë vit kanë arrestuar 908 të mitur palestinezë nën moshën 18 vjeçe në Kudsin Lindor dhe Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftoi Komiteti i të Burgosurve Palestinezë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Nga 908 fëmijët palestinezë të arrestuar nga janari i këtij viti, 270 janë duke u mbajtur në burgjet palestineze, njoftoi komiteti përmes një deklarate me shkrim.

Siç thuhet, ushtarët izraelitë arrestojnë fëmijët palestinezë duke i marrë ata nga shtëpitë ku qëndrojnë me familjet e tyre gjatë bastisjeve që organizojnë në mesnatë.

Deklarata vë në dukje se të miturit palestinezë torturohen për të nënshkruar pranimin e fajit të përgatitur nga forcat izraelite, ndërkohë që këta fëmijë privohen nga e drejta e arsimimit, kurse disa të tjerëve nuk u lejohen as takime me familjet e tyre.

Trupat izraelite arrestojnë fëmijët palestinezë në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor me akuza të ndryshme, përfshirë edhe gjuajtjen e gurëve.

Sipas një raporti të mëparshëm të Komitetit të të Burogsurve Palestinezë, në burgjet izraelite vuajnë rreth 350 fëmijë palestinezë.

Ndërkohë, Lëvizja Ndërkombëtare për Mbrojtjen e Fëmijëve-Palestinë dje njoftoi se forcat izraelite këtë vit kanë martirizuar 52 fëmijë palestinezë, përfshirë 46 në Rripin e Gazës dhe gjashtë në Bregun Perëndimor.

Në vitin 2015, Izraeli miratoi një ligj që lejon arrestimin e fëmijëve nën moshën 12 vjeçe, nxjerrjen e tyre para gjykatës dhe heqjen e lirisë nën masën e quajtur “burgim administrativ”.