Izrael, shtyhet votimi i projektligjit për “kufizimin e ezanit”

Është shtyrë përsëri votimi në Parlamentin e Izraelit (Knesset) për projektligjin i cili parashikon ndalimin e thirrjes së ezanit nga altoparlantët, raporton Anadolu Agency (AA).
Në një deklaratë për AA, deputeti me origjinë arabe Ahmed Tijbi ka thënë se projektligji është shtyrë për herë të tretë.

Tijbi në fjalën e tij ka theksuar se atij i ka thënë David Bitan, kryetari i grupit parlamentar të partisë në pushtet Likud që projektligji “për kufizimin e ezanit” nuk do të vijë në parlament. “Besoj që kjo gjë ka të bëjë vetëm me shtyrjen dhe jo anulimin e tij”, ka shtuar ai.

Ndërkohë gjatë një bisede telefonike që Presidenti i Izraelit, Reuven Rivlin ka pasur me Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, thuhet se krahas falënderimit që Rivlin ka bërë Erdoğanit për dërgimin e avionëve në ndihmë për fikjen e zjarreve në Izrael, është diskutuar edhe çështja e projektligjit “për kufizimin e ezanit”.

Në një deklaratë me shkrim nga zyra e Presidencës izraelite thuhet se Presidenti Erdoğan ka pyetur homologun izraelit për çështjen e “ndalimit të ezanit në Izrael”, ndërkohë në përgjigje të kësaj pyetjeje Presidenti Rivlin ka theksuar se do të merren parasysh të gjitha të drejtat e qytetarëve, si dhe liritë e besimeve fetare.

Projektligji për “kufizimin e ezanit”

Një projektligj i hartuar me pretendimin se ezani shkakton ndotje akustike duhet të aprovohet në 3 seanca të ndryshme në Parlamentin Izraelit në mënyrë që ai të hyjë në fuqi. Projektligji që ka ngjallur reagime të ashpra nga popullata muslimane në vend dhe bota islame, ka ardhur disa herë në këtë parlament, por nuk ka arritur të miratohet. Për herë të parë ky projektligj ka kaluar nga komisioni i ligjeve.