Izrael, mijëra protestues kundër Netanyahut

Mijëra njerëz në Izrael protestuan për të shprehur pakënaqësinë ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu, kundër të cilit janë duke u zhvilluar hetime për korrupsion, raporton Anadolu Agency (AA).

Deri më tani, Netanyahu është marrë në pyetje shtatë herë në polici, kurse për të tretën herë mbahen protestat e quajtura “Marshi i turpit”.

Protestuesit u mblodhën në bulevardin “Rothschild” në Tel Aviv duke brohoritur parulla kundër kryeministrit izraelit. Ata marshuan deri në sheshin “Habima”.

Protestuesit kundërshtojnë një projekt-ligj të ri në Izrael, i cili do të privonte policinë nga disa kompetenca. Ata argumentojnë se qëllimi i këtij projekt-ligji është të shpëtojë Netanyahun nga hetimi për korrupsion me ç’rast kanë kërkuar dënimin me burg për të.

Kur bëhet fjalë për hetimin, në kurriz të kryeministrit izraelit, ka pretendime për marrje ryshfeti nga pronarët e bizneseve, ka negociuar me përfaqësuesit e disa mediave për publikimin e përmbajtjeve në favor të tij, si dhe për korrupsion në lidhje me blerjen e nëndetëseve nga Gjermania.

Deklaratë në polici ka dhënë gjithashtu edhe gruaja e kryeministrit, Sara Netanyahu.