Italia arrin marrëveshje me Brukselin për buxhetin

Pas paralajmërimit të Brukselit se do të merrte masa ndëshkuese ndaj Italisë për shkak të draft buxhetit 2019, duket se palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët. Kryeministri Conte dhe kreu i Komisionit Europian Juncker janë dakortësuar për uljen e defiçitit publik në 2.04% për vitin 2019. Ky pakt eviton masat ndëshkuese të parashkuara nga Bashkimi Europian.

Italia dhe BE duket se kanë gjetur gjuhën e përbashkët për draftbuxhetin 2019, të miratuar nga qeveria Conte, dhe të rrëzuar pak ditë më parë nga Komisioni Europian.

Kryeministri italian Giuseppe Conte është takuar në Brukel me kreun e Komisionit Europian Jean Claude Juncker, me të cilin janë dakortësuar për uljen e defiçitit publik nga 2.4 % për 2019, në 2.04%.

Ky është një hap i rëndësishëm i bërë nga qeveria e Romës për të evituar masat ndëshkuese të parashikuara nga Brukseli për shkelje të rregullave të përcaktuara nga Komisioni Europian për çdo vend anëtar.

Kryeministri Conte ka thënë se “Italia i ka propozuar Brukselit reduktimin e koeficientit të defiçitit publik në 2.04%, një propozim serioz dhe besojmë se bisedimet do të mbyllet në mënyrë pozitive”.

Por në të njëjtën kohë, kreu i qeverisë italiane deklaroi se me gjithë reduktimin e këtij koeficienti, angazhimet kryesore ndaj italianëve nuk do të ndryshojnë, si në realizimin e reformës së pensionit ashtu dhe në vendosjen e pagës minimale për një jetë dinjitoze.

Njëherësh me një notë zyrtare, Komisioni Europian informon se “takimi me Juncker e Conte ka sjellë zhvillime pozitive, dhe se Komisioni do të vlerësojë propozimin e bërë nga Italia dhe diskutimet do të vazhdojnë gjatë ditëve në vijim.”