Ismet Tara thotë se nuk i duhet avokat për ta mbrojtur në Hagë luftën e drejtë në UÇK

Ndonëse pa dëshirën e tij është emëruar komandant i Brigadës 124 të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ismet Tara thotë se ka luftuar me të gjitha forcat për çlirimin e Kosovës. I njohur si “komandant Hoxha”, Tara ka shërbyer për disa muaj si komandant në Zonën e Rahovecit. E, për veprimtarinë e tij gjatë luftës, atij i duhet të përballet me Gjykatën Speciale në Hagë, pikërisht më 17 shkurt të këtij viti, raporton KTV. Ai ka thënë se nuk pendohet për asnjë armik që e ka vrarë në fushë-betejë dhe aktakuzat e Speciales i quan të pabaza dhe të përgatitura nga Beogradi. I gatshëm të përballet me çdo aktakuzë, Tara thotë se beson në pastërtinë e luftës së UÇK-së. Për besimin në luftën që ka zhvilluar ndihet krenar, saqë nuk do të angazhojë asnjë avokat për mbrojtjen e tij. Ndonëse thotë se përgjegjësia e secilit pjesëtar të UÇK-së është individuale, Tara thotë se do të jetë zëri i të gjithëve në Hagë. Thotë se do të triumfojë para kësaj gjykate ‘të padrejtë’, siç e ka quajtur, madje thotë se kushdo që ka prova kundër tij, i mirëpret. Çdo gjykim që do të bëhet në Hagë, Tara thotë se do të jetë pastrim për luftën e UÇK-së, por kjo gjykatë raciste, sipas tij, nuk mund të vendosë drejtësi. E, bindjen e tij se ndihet i pafajshëm e lidh me intervenimet e NATO-s në mars të 99-s. Tara thotë se nuk do të pranojë ndihmë për mbrojtje as nga buxheti i Kosovës, e për çka ka kërkuar që shpenzimet e udhëtimit t’ia kryejë Gjykata Speciale në Hagë. Komandant ‘Hoxha’, është i ftuari i katërt deri tash nga kjo gjykatë, pas Sami Lushtakut e Rrustem Musafës, dhe i dyti nga Komuna e Rahovecit, pas Sebahudin Cenës.
SHPËRNDAJE