Ish-lideri tunizian falënderon Turqinë për pritjen e sirianëve

Ish-presidenti i Tunizisë, falënderoi Turqinë për ndihmën e dhënë mbi 3 milionë sirianëve të cilët u larguan nga “lufta dhe diktatura”, raporton Anadolu Agency (AA).

“Si arab, do të doja të falënderoja Turqinë për hapjen e territorit dhe zemrës së saj për 3 milionë sirianë të cilët u larguan nga lufta dhe diktatura”, tha Moncef Marzouki, gjatë Takimit kombëtar turk-islamik (IGMG).

“Si musliman, shpreh mirënjohjen time për Turqinë për krijimin e imazhit të një vendi të suksesshëm musliman që është i denjë për respekt”, shtoi Marzouki.

Marzouki, i cili është gjithashtu një aktivist i të drejtave të njeriut, tha se do të dëshironte të shprehte mirënjohjen e tij edhe një herë për Turqinë dhe për presidentin turk, Recep Tayyip Erdoğan, për “ndihmën vëllazërore” të revolucionit tunizian.

Turqia ka pritur më shumë refugjatë sirianë se çdo vend tjetër në botë. Vendi ka shpenzuar më shumë se 32 miliardë dollarë nga burimet e veta kombëtare për të ndihmuar dhe strehuar refugjatët që nga fillimi i luftës civile siriane.