Ish-komandanti denoncon Agim Çekun: Pas luftës ishin 20 mijë ushtarë të UÇK-së, e jo 60 mijë

Njëri prej eprorëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Llap, Arif Muçolli ka treguar se pasluftës ia kishte dërguar tri herë të dhënat e Zonave Operative për numrin e ushtarëve. Në asnjërin rast shifrat nuk kishin shkuar më shumë se 20 mijë ushtarë të UÇK’së.

“Po ja perkujtoj z.Agim Cekut, se sa ishte Komandant i TMK-se,se paku dy deri ne tri here i kemi grumbullue te dhenat per keto kategori nga te gjitha Zonat dhe asnjehere nuk eshte kalue nr.prej 20 mijë”, ka shkruar Muçolli i njohur si Komandant Mësuesi.

Ky ish-ushtarak ka treguar se këto të dhëna ekzistojnë në Arkivin e TMK’së ku i kishte deponuar dokumentet e verifikuara me numrin e ushtarëve.

Ka akuzuar se krejt këto dallavere me lista janë bërë për përfitime politike, klanore, familjare por edhe materiale.

Ka thënë se përpos Agim Çekut edhe të tjerët të përfshirë në këtë skandal kanë bërë devalvimin e vlerave të luftës.

Ndërkohë, ende askush s’ka shkuar në burg për keqpërdorimin e statusit të veteranit të UÇK’së. Për dallim prej Kosovës, në Kroaci ka pasur raste kur edhe pas njëzet vitesh janë zënë keqpërdoruesit e luftës, duke u dënuar me burgim dhe konfiskim të pasurisë.