Irani kërkon falje për rrëzimin e aeroplanit ukraians

Presidenti iranian i ka kërkuar falje homologut të tij ukrainas për rrëzimin e “paqëllimshëm” të aeroplanit të pasagjerëve të Ukrainës në fillim të kësaj jave, në të cilën të gjithë 176 personat në bord humbën jetën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas një deklarate të presidencës ukrainase, presidenti i Iranit Hassan Rouhani dhe homolgu i tij i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy zhvilluan një bisedë telefonike të iniciuar nga pala iraniane.

“Presidenti i Republikës Islamike të Iranit pranon plotësisht se tragjedia u shkaktua nga veprimet e gabuara të ushtrisë së këtij shteti”, thuhet në deklaratë.

Deklarata theksoi se Teherani siguroi se “të gjithë të përfshirët në këtë fatkeqësi do të përgjgjen”.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne që t’i kthejmë kufomat e të ndjerëve në Ukrainë javën tjetër, deri më 19 janar, në mënyrë që të afërmit e tyre të mund t’ua japin lamtumirën e fundit”, theksoi Zelenskiy.

Ministria e Jashtme e Ukrainës “menjëherë do t’i dërgojë një shënim Iranit me një listë të qartë të të gjitha hapave të ardhshëm, përfshirë aspektet juridike të çështjes së kompensimit”, thuhet në deklaratë, duke shtuar se pala iraniane pajtohet me Ukrainën për këtë çështje.

Më parë, Irani pranoi se aeroplani ukrainas u goditën aksidentalisht nga një raketë iraniane.

Javën e kaluar, SHBA vrau gjeneralin iranian Qasem Soleimani në një sulm me dron në Bagdad. Në shenjë hakmarrjeje, Irani shkrepi dhjetëra raketa balistike në drejtim të bazave amerikane në Irak më 8 janar.