Iran, në një qytet mbyllen shkollat pas dy vdekjeve nga koronavirusi

Pas lajmit për vdekjen e dy pacientëve të infektuar nga koronavirusi, autoritetet në qytetin iranian Kom kanë vendosur të ndërpresin mësimet në të gjitha shkollat fillore dhe të mesme, si dhe në universitete, transmeton Anadolu Agency (AA).

Agjencia iraniane e lajmeve IRNA raporton se institucionet arsimore në Kom nuk do të funksionojnë nesër, si pjesë e masave të marra nga autoritetet kompetente iraniane në kontekstin e parandalimit të përhapjes së virusit të rrezikshëm.

E enjtja pasdite dhe e premtja janë ditë jo pune të fundjavës në Iran dhe dita e parë e punës e javës për iranianët është e shtuna.

Zyrtari nga Ministria e Shëndetësisë së Iranit, Kiyanush Jihanpur, ka konfirmuar vdekjen e dy pacientëve që ishin diagnostikuar me infeksionin e ri të koronavirusit në qytetin e luginës së lumit Kom.

Muhamed Riza Kadir, Rektori i Universitetit të Mjekësisë në Kom, tha për mediat iraniane se në katër ditët e kaluara ka pasur një rritje të numrit të pacientëve që ankohen për probleme të rrugëve të frymëmarrjes, që ishin simptomat e dy pacientëve të ndjerë.

Ai tha se një spital në Kom është pajisur për të luftuar përhapjen e virusit të rrezikshëm, dhe se një spital tjetër do të angazhohet sipas nevojës.

Koroanavirusi u shfaq për herë të parë në fund të vitit të kaluar në qytetin kinez Wuhan. Në Kinë, 2,120 njerëz kanë vdekur si rezultat i infeksionit dhe 74.185 njerëz janë infektuar.