Iran, arrestohet zëvendësi i ish presidentit Ahmadinejad

Zëvendësi i ish presidentit iranian Mahmoud Ahmadinejad, Esfandiar Rahim Mashaei, është arrestuar në vazhdën e hetimeve të gjykatës Revolucionare të vendit, raporton Anadolu Agency (AA).

Në nëntor të vitit të kaluar, gjykata në fjalë ftoi në gjyq Mashaein, i cili për një kohë të shkurtër ushtroi postin e zëvendës presidentit në kohën e Ahmadinejad, për t’u përgjigjur disa akuzave për veprimtari kriminale.

Ai përballet me akuzat për “përhapje të propagandës kundër regjimit të Iranit”,”shpifje ndaj udhëheqësit” (referencë për liderin supreme të Iranit, Ali Hamenei), si dhe për “nxitje të urrejtjes në opinion”.

Rahim Mashaei ushtroi postin e tij të zv/presidentit në vitin 2009, por vetëm për një javë.

Ai tentoi të garojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2013, mirëpo kandidatura e tij u bllokua nga Këshilli Gardian i Kushtetutës, i cili mban pushtet të konsiderueshëm në Iran.

Më herët, një tjetër zyrtar i cili shërbeu në kohën e Ahmadinejad, Hamid Baghaei u dënua me 15 vjet burg me akuza për korrupsion.