IPK jep detaje rreth operacionit të arrestimit të rreshterit që vrau një person në Suharekë

Inspektorati i Policisë së Kosovës, ka bërë të ditur se është ndaluar për 48 orë rreshteri që dyshohet për vrasjen e një personi në Reshtan të Suharekës.

Inspektorati i Policisë së Kosovës (IPK), ka bërë të ditur se pas hetimeve dhe me urdhër të prokurorit, rreshteri me inicialet Sh. S është arrestuar pasi që i njëjti dyshohet se ka vrarë një person me inicialet J.A., në fshatin Reshtan të Suharekës, raporton lajmi.net.

Përmes një njoftimi për medie, IPK ka bërë të ditur se në shtëpinë e të dyshuarit gjatë bastisjes janë konfiskuar një armë e tipit “Glock 9×19”, dy karikatorë si dhe disa fishekë.

“Të dyshuarit tashmë të arrestuar me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Hetimet nga Inspektorati Policor lidhur me këtë rast do të vazhdojnë deri në ndriçimin e plotë të rastit në koordinim me Prokurorinë kompetente”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e IPK-së, shkruan lajmi.net.

Njoftimi i plotë i IPK-së pa ndërhyrje:

IPK arreston një të dyshuar dhe realizon një bastisje në Suharekë

Hetuesit e IPK-së janë njoftuar sot nga Policia e Kosovës për një rast gjuajtje me armë zjarri në Suharekë i cili kishte ndodhur në një lokal (kazino) në rrugën “Skënderbeu” në fshatin Reshtan të Suharekës.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori kompetent dhe pas grumbullimit të informacioneve të para nga vendi i ngjarjes, dyshohej për përfshirjen e një zyrtari policor si të dyshuar në këtë rast.

Pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore në konsultim me prokurorinë, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar sot pas orës 12:00 të dyshuarin Sh. S (zyrtar policor me gradën e rreshterit) me dyshimin se i njëjti ka qenë i përfshirë në këtë rast.

Me urdhëresë të prokurorisë, hetuesit e IPK-së së bashku me zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë realizuar një bastisje në banesën e të dyshuarit në Suharekë dhe në një shtëpi banimi.

Gjatë kësaj bastisje është konfiskuar një armë e tipit “Glock 9×19”, dy karikatorë si dhe disa fishekë.

Të dyshuarit tashmë të arrestuar me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Hetimet nga Inspektorati Policor lidhur me këtë rast do të vazhdojnë deri në ndriçimin e plotë të rastit në koordinim me Prokurorinë kompetente.