IPK: Avokati Halilaj u intervistua për keqpërdorim seksual dhe të pozitës zyrtare

Inspektorati Policor i Kosovës përmes një komunikate për media ka hedhur poshtë pohimet e një pjese të mediave për arrestimin e avokatit që mbrojti profesorin në rastin e abuzimit seksual të një miture në Drenas, duke thënë se Gazmend Halilaj ka qenë i ftuar për intervistim nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, në cilësinë e të dyshuarit.

Intervistimi i avokatit Halilaj është vazhdimësi e veprimeve hetimore duke iu referuar rastit që IPK është duke e hetuar në koordinim të plotë me Prokurorinë Themelore të Prishtinës e ku deri tani janë arrestuar tre të dyshuar, thuhet në sqarim.

IPK bën me dije se avokati Halilaj është intervistuar si i dyshuar për veprat penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin sipas Kodit Penal të Kosovës.

Sipas autorizimit të prokurorit, hetimi ndaj avokatit Halilaj do të vazhdojë në procedurë të rregullt.