Investimet, 100 milionë euro më pak

Duke u bazuar në të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se gjatë nëntëmujorit të fundit të vitit 2016 investimet e huaja kanë rënë për rreth 100 milionë euro në raport me periudhën e njëjtë të vitit paraprak, shkruan sot Gazeta “Zëri”

Rreth 100 milionë euro ka rënë vlera e investimeve të huaja gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2016, në raport me vitin paraprak.

Investimet e huaja në vendin tonë në vazhdimësi po pësojnë trend negativ, pavarësisht premtimeve për mbrojtje dhe trajtim sa më të mirë institucional të biznesmenëve të huaj, të cilët një pjesë të kapitalit të tyre dëshirojnë ta investojnë në vendin tonë, shkruan “Zëri“.

Duke u bazuar në të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) shihet se gjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2016 investimet e huaja në vendin tonë kanë arritur në 203 milionë euro në 301.4 milionë euro sa kanë qenë në periudhën e njëjtë të vitit paraprak.

Duke u bazuar në të dhëna të BQK-së shihet se gjatë muajit tetor të vitit që lamë pas investimet e huaja në Kosovë kanë arritur vlerën në 21 milionë euro, derisa në muajin shtator ato kanë qenë 36.5 milionë euro.

Në muajin gusht investimet e huaja kanë qenë 24.8 milionë euro, derisa në muajin korrik kanë qenë 36.2 milionë euro.

Gjithnjë duke u bazuar në të dhëna të BQK-së shihet se në muajin qershor nga Kosova janë tërhequr 5.5 milionë euro investime të huaja, derisa në muajin prill janë investuar 19 milionë euro.

Në muajin mars në Kosovë nga investitorët e huaj janë investuar 26.1 milionë euro, në muajin shkurt 23.6 milionë euro dhe në muajin janar në Kosovë janë investuar 5.9 milionë euro.