Institucionet e “luksit”, 12 ditë pushim zyrtar në vit – kërkohet ndryshimi i Ligjit

Zyrtarët publik në institucionet e Kosovës nuk dolën sot në punë.

Ligji për festat zyrtare atyre ua dha ‘luksin’ që sot ta kenë ditë pushimi, shkruan lajmi.net.

“Dita e Evropës” bën pjesë në kalendarin e festave zyrtare në Republikën e Kosovës, në të cilin institucionet nuk punojnë.

E, 9 maji është vetëm një nga 12 ditët kur zyrtarët publik pushojnë në bazë të ligjit.

Foto: Ligji per Festat Zyrtare ne Kosovë

Madje, në shtetet e BE-së, përveç Kosovës, vetëm në Luksemburg sot është në ditë pushimi.

Njohësi i Kushtetutës, Riza Smaka, po konsideron se Ligji për Festat Zyrtare në Kosovë duhet të ndryshohet shpejtë dhe në mënyrë drastike.

Ai për lajmi.net thotë, se as shtete shumë më të zhvilluara nuk kanë pushime zyrtare aq sa ka Kosova.

“Prej kur kam qenë deputet e kam kundërshtuar me argumente dhe me prova, kam pas marrë informacione për shtete tjera dhe kam pas thanë që ka shtete shumë të zhvilluara dhe përparuara dhe që nuk kanë kaq festa”, thotë Smaka.

Në zhargonin popullor, Smaka thotë se festave zyrtare ‘u ka dalë boja’.

“Ne duhet të punojmë edhe gjatë ditës së festave dhe të mos kemi aq shumë pushime. Ky ligj do të duhej të ndryshohej sa më parë, dhe do të duhej të ndryshohej drastikisht, ashtu që t’i kishim dy tri festa brenda vitit kalendarik, sepse siç thuhet në popullin tonë i ka dal boja festave”, thotë tutje Smaka.

Ai tutje kritikon institucionet për neglizhencë në këtë aspekt, teksa thotë se ndryshimi i Ligjit për Festat Zyrtare do të ishte i dobishëm për punët në institucionet publike.

Të mos punohet më 9 maj po e konsideron të panevojshme edhe deputetja e PDK-së, Blerta Deliu.

Ajo për lajmi.net thotë se do të kërkojë plotësim ndryshimin e këtij ligji në njërën prej seancave të ardhshme të Kuvendit të Kosovës.

“Nuk ka asnjë kuptim që mos të punohet sot. Në njërën prej seancave të ardhshme do të kërkojë edhe plotësim-ndryshimin e këtij ligji dhe do të kërkoj që kjo ditë të hiqet nga kalendari i festave zyrtare”, thotë Deliu.

Sipas deputetes së PDK-së, institucionet e Kosovës nuk bëhen më pro-evropiane nëse sot pushojnë, por se sipas saj kjo do të ndodhë vetëm nëse punohet më fortë në arritjen e synimeve.

Përveç ‘Ditës së Evropës’, as ‘Dita e Kushtetutës’ dhe ‘Dita e Punës’ nuk festohet në shtetet e BE-së.

Qeveria Haradinaj, e cila edhe ashtu ishte kritikuar për numrin e madh të zëvendësministrave nuk ka bërë lëvizje në këtë aspekt.