Incidentet në Basra të Irakut, të paktën një i vdekur

Të paktën një person ka humbur jetën ndërsa 10 të tjerë janë plagosur si pasojë e zjarrit të hapur ndaj demonstruesve të cilët përpiqeshin të hyjnë në ndërtesën e Organizatës Asaib Ehlilhak që është në kuadër të forcave Hashdi Shabi në provincën jugore të Irakut, Basra, raporton Anadolu Agency (AA).

Protestuesi Hani Abdu el-Huseyin si dëshmitar okular pretendon se pas përpjekjes së demonstruesve për të hyrë në ndërtesën e Organizatës Asaib Ehlilhak, personat e armatosur nga ndërtesa kanë filluar të hapin zjarr ndaj demonstruesve. Në incident ka humbur jetën një person ndërsa 10 të tjerë janë plagosur.

Ndërkohë në njoftimin e bërë nga Hashdi Shabi, u theksua se një grup i maskuar ka sulmuar dhe i ka vënë zjarrin ndërtesës.

Ndërsa dje një grup demonstruesish në Basra bastisën dhe i vënë zjarrin konsullatës së Iranit në këtë qytet.

Pas kësaj pretendohej se Irani ka mbyllur pikën kufitare Shelamçe me Irakun ndërsa kjo u mohua nga Komiteti i Pikave Kufitare të Irakut.

Që nga 8 korriku, provincat qendrore dhe jugore me shumicë shiite në Irak, veçanërisht Basra, janë përfshirë nga demonstratat, të cilat në një moment u përhapën edhe në kryeqytetin irakian, Bagdad.

Demonstruesit kërkojnë përmirësimin e shërbimeve publike, më shumë mundësi punësimi dhe ndalimin e korrupsionit.

Sipas komisionit shtetëror të Irakut për të drejtat e njeriut, që nga fillimi i protestave mbi 20 demonstrues janë vrarë në përleshjet me forcat e sigurisë.

Për vite, banorët e Basrës janë ankuar se shtetasit e huaj në vend të banorëve lokalë, janë duke u punësuar në sektorin e brendshëm të energjisë.

Rreth 80 për qind e eksporteve totale të naftës së papërpunuar në Irak vijnë nga fushat e naftës në provincën e Basrës.