Idlib, momenti i shpëtimit të vogëlushes nga rrënojat

Të paktën edhe tre civilë të tjerë humbën jetën dhe 20 të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve që regjimi i Bashar al-Assadit dhe mbështetësi i tij Rusia kanë ndërmarrë ndaj vendbanimeve civile në rajonin e de-eskalimit në Idlib të Sirisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Avionët e regjimit ndërmorën sulme ndaj fshatrave Dejr Sunbul, Frikje, Serxhe, Bzabor, Binin, Hantutin, Naxhije, Kinidde, Gadafe,Tel Mennis, Ebu Mekki, Tuh dhe Rebia në rajonin Xherxhenaz të komunës Maaretinuman.

Sipas Observatorit të opozitarëve për vëzhgimin e avionëve, edhe avionët luftarakë rusë kanë goditur pjesën periferike të Maaretinuman, si dhe fshatrat Maarshurin, Han Es Subul, Dejr Garbi, Semke dhe Merdih në rajonin Serakib.

Nga të dhënat e marra prej Mbrojtjes Civile në Idlib mësohet se në rajonet Maaretinuman, Dejr Sunbul dhe Merdih kanë humbur jetën tre civilë dhe janë plagosur të paktën 20 të tjerë.

Ekipet e Mbrojtjes Civile që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes kanë dërguar në qendrat shëndetësore civilët që kanë shpëtuar në pothuajse të gjitha vendbanimet e shembura.

Në kamerën e AA-së janë reflektuar pamjet e momenteve të tmerrit gjatë nxjerrjes së një vajze të vogël nga rrënojat, e cila është plagosur në sulmin e kryer nga Rusia.

Për shkak të vazhdimit të bombardimeve, ka shqetësime se numri i të vdekurve mund të rritet.

Regjimi i Assadit dhe Rusia, që nga fillimi i muajit nëntor kryejnë sulme ajrore dhe tokësore në mënyrë sistematike ndaj vendbanimeve civile që ndodhen mes të rrugëve tokësore M4 dhe M5, të cilat lidhin Halepin, Damaskun dhe Latakian.

Sipas Koordinimit të Ndërhyrjes Siriane, e cila përpilon të dhënat lidhur me civilët e zhvendosur nga rajoni i de-eskalimit në Idlib të Sirisë thuhet se brenda kësaj periudhe janë zhvendosur rreth 110 mijë civilë drejt vendeve pranë vijës kufitare Siri-Turqi.

Që nga marrëveshja e nënshkruar më 17 shtator të vitit 2018 mes Turqisë dhe Rusisë, në sulmet e regjimit dhe Rusisë në rajonin e de-eskalimit në Idlib kanë humbur jetën mbi 1.300 civilë. Ndërkohë që ka shkuar në mbi 1 milion numri i personave që kanë migruar brenda një viti nga vendet ku sulmet janë intensive drejt vendeve që janë më të qeta dhe kryesisht në afërsi të kufirit të Turqisë.