I rrëmbeu armën terroristit, por nuk diti ta përdorte atë – ndërron jetë burri që u kacafyt me terroristin në Zelandë të Re

Heroi Naeem Rashid ka vdekur pasi u përpoq t’ia rrëmbente armën terroristit, gjatë sulmit të së premtes, nga i cili sulm thuhet se u vra edhe djali i tij.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, Rashid u përpoq të mposhtte sulmuesin – të identifikuar si 28-vjeçari australian Brenton Tarrant – gjatë një sulmi masiv me armë në xhamitë Al Noor dhe Linwood Masjid në Christchurch.

Ai, siç thuhet tutje, u plagos rëndë pas kacafytjes me terroristin, në tentim për të shpëtuar besimtarët tjerë.

Ai u dërgua me shpejtësi në spital, por më vonë vdiq.

Rashid kishte ardhur nga Abbottabad, një qytet në Pakistan ku punoi me një bankë private përpara se të shkonte në Christchurch.

Një i mbijetuar i tmerruar i sulmit terrorist të Zelandës së Re – me një bilanc prej rreth 50 të vdekur – tregoi gjithashtu se si një burrë e u përplas me terroristin dhe i vodhi një nga armët e tij përpara se të largohej.

Syed Mazharuddin po falej të premten në xhaminë e Linwood Masjid në Christchurch, e cila ishte xhamia e dytë që u sulmua, kur dëgjoi të shtënat.

Sipas tij, burri në fjalë tentoi të konfrontohej me terroristin, madje duke i marrë njërën armë atij.

Siç ka thënë ai, heroi i rrëmbeu armën terroristit dhe tentoi të mbronte njerëzit e tjerë në xhami, por për fat të keq nuk diti si ta përdorte atë. /Telegrafi/

SHPËRNDAJE