Hyseni: Policia e Kosovës më e mira në Ballkan

Në luftën kundër krimeve të rënda, terrorizmit, krimit të organizuar dhe korrupsionit, Policia e Kosovës ka zhvilluar 887 operacione, ka goditur 38 grupe kriminale, arrestuar 1246 persona, si dhe ushtruar 1154 kallëzime penale.

Agjencia e Kosovës për Forenzikë ka kryer rreth 4,500 ekspertiza forenzikë si ka akredituar sipas standardit ISO17025 pesë laboratorë të saj. Është bërë rishikimi dhe vlerësimi i strategjive nacionale në fushën e drogave, krimit të organizuar, terrorizmit, sigurisë kibernetike dhe policimi i udhëhequr nga inteligjenca. Janë finalizuar strategjitë e reja për sigurinë në bashkësi dhe kontrollin e armëve të vogla, lehta dhe eksplozivëve. Gjithashtu, Policia e Kosovës ka hartuar Vlerësimin e Rrezikut nga Krimet e Rënda dhe Krimi i Organizuar (SOCTA) 2015-2015 sipas standardeve të EUROPOL. Në fushën e terrorizmit, Policia e Kosovës ka trajtuar 47 raste, ka arrestuar 33 persona, ka ngritur 30 kallëzime penale ndaj 78 personave si dhe ka realizuar 9 operacione dhe 32 bastisje. Për më tepër, si rezultat i zbatimit të policimit të udhëhequr nga inteligjenca dhe bashkëpunimit ndër-institucional dhe ndërkombëtar janë parandaluar sulmet terroriste në vend dhe nuk janë evidentuar raste të reja të luftëtarëve të huaj në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak.

Sa i përket rritjes së sigurisë publike, fokus i veçantë është drejtuar në parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit që shpie në terrorizëm. MPB ka realizuar një sërë aktivitetesh me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve dhe institucioneve, mediave, shoqërisë civile e bashkësive fetare sa i përket dukurisë se ekstremizmit te dhunshëm dhe radikalizmit. MPB ka organizuar dhe ka marrë pjesë në 24 takime të forumeve lokale të sigurisë, në 4 tryeza të përbashkëta me qytetarë dhe institucione të ndryshme, si dhe ka hartuar një strategji komunikimi në këtë fushë dhe është ne finalizim të fushate dhe spoti i cili do te jetë në funksion te ngritjes së vetëdijes se qytetarëve të Kosovës. Është themeluar Mekanizmi Referues në Gjilan, i cili ka për qellim identifikimin e hershëm të individëve të radikalizuar dhe ofrimit të mbështetjes për personat e prekur me qellim të parandalimit të radikalizmit të mëtutjeshëm të tyre dhe ri-socializimin në komunitetin që e rrethon. Në 2016 janë pezulluar aktivitetet e 5 OJQ-ve të cilat janë identifikuar se angazhohen në përhapje të ekstremizmit të dhunshëm.

Inspektorati Policor i Kosovës gjatë vitit 2016 ka pranuar dhe ka menaxhuar me 1246 ankesa dhe informata, prej tyre 748 ankesa që janë klasifikuar si shkelje disiplinore e profilit të ultë dhe janë përcjellë për t’u trajtuar në Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Kosovës. Nga 162 raste me elemente të veprës penale, 98 janë dërguar me kallëzim penal nga Departamentet e Hetimeve në prokuroritë kompetente, ndërkaq me raport të veçantë janë dërguar 32 raste. Në total 238 punonjës të Policisë kanë qenë si subjekt i hetimit nga IPK. Deri me 1 dhjetor te vitit 2016 IPK ka ndërmarrë këto masa dhe rekomandime: 69 arrestime, 93 rekomandime për suspendime dhe 4 rekomandime për transfer. Gjithashtu, IPK-ja ka hetuar 44 raste të veprave penale me elemente të korrupsionit dhe veprave tjera kundër detyrës zyrtare .

Me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të institucioneve të sigurisë publike, Akademia e Kosovës për Siguri Publike ka organizuar 110 trajnime dhe janë trajnuar 2, 613 pjesëmarrës. AKSP ka finalizuar draft-marrëveshjen me Agjencinë e BE-së për Trajnim të Agjencive të Zbatimit të Ligjit (CEPOL). AKSP ka nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit me Akademinë Policore të Malit të Zi. Agjencia për Menaxhim Emergjent ka përfituar nga projekti rajonal “IPA FLOODS II” meqë rast Njësia Shpëtim në Ujëra është pajisur me të gjitha pajisjet logjistike të nevojshme për veprim. Është aprovuar Strategjia Shtetërore për Sigurinë Kibernetike dhe Plani i Veprimit 2016-2019 si dhe janë themeluar Ekipet Reaguese për Emergjenca Kompjuterike (CERT) në MPB dhe PK.MPB ka finalizuar projekt-ligjin për Infrastrukturën Kritike i cilit pritet të dërgohet për miratim në Qeveri në fillim të 2017.

Procesi i integrimit Evropian dhe bashkëpunimin ndërkombëtar, MPB dhe agjencitë e saj kanë qenë përgjegjëse për 70 prej 95 kritereve të Udhërrëfyesit për Liberalizmin e Vizave dhe të gjitha janë përmbushur plotësisht. Në kuadër të Programit Kombëtar për Zbatimin e MSA-së, MPB është përgjegjëse për zbatimin e 99 masave zbatuese dhe 14 masave legjislative, nga të cilat 24 janë përfunduar, 34 janë në realizim e sipër dhe 55 masa adresohen në vazhdimësi dhe raportohen përmes të dhënave statistikore. Është nënshkruar marrëveshja për vendosjen e bashkëpunimit operativ me FRONTEX. Është iniciuar procesi për nënshkrim të marrëveshjes me EUROPOL dhe kanë vazhduar përpjekjet intensive për anëtarësim në INTERPOL. Në fushën e bashkëpunimit ndërkombëtar policor, është nënshkruar marrëveshja me Lituaninë ndërsa janë në fazë të negocimit marrëveshjet me Turqinë, Estonin, Italinë, Belgjikën, Danimarkën.

MPB dhe agjencitë e saj, gjatë vitit 2016 kanë arritur rezultate konkrete në menaxhimin i migrimit dhe riintegrimit të qëndrueshëm. Si rezultat i masave dhe politikave të ndërmarra numri i kërkesave për azil nga qytetarët e Kosovës në vendet e BE dhe Zonës Schengen ka rënë nga 73,2015 të vitit 2015 në 10,220 në vitin 2016. Ndërsa, numri i përgjithshëm i shtetasve të Kosovës të ri-pranuar deri në fund të nëntorit 2016 është mbi 13,000. Është miratuar Profili i Migrimit i cili përmban të dhënat dhe analizën e trendëve të migrimit për vitin 2015 dhe është emëruar Koordinatori Nacional për Migrim përgjegjës për Monitorimin e Lëvizjeve të Migrimit dhe koordinimin e te gjitha institucioneve përgjegjëse ne fushën e migrimit. Me qëllim të menaxhimit të flukseve të mundshëm me refugjatë është hartuar Plani i Reagimit i cili do të azhurnohet varësisht nga gjendja në terren. MPB gjithashtu është fokusuar në përmirësimin e politikave për riintegrimin e personave te riatdhesuar përmes fondit te posaçëm për Ri-integrim. Janë hartuar dhe miratuar Planet Komunale për ri-integrim në 34 komuna te Republikës së Kosovës. Është hartuar dhe miratuar Udhëzuesi për Ripranimin dhe Riintegrimin e Fëmijëve te Pashoqëruar. Nga Programi i Riintegrimit kanë përfituar gjithsej 5, 507 persona ndërsa nga skemat e riintegrimit të dhënat janë si në vijim: 130 persona kanë përfituar nga shërbimet e konsulencës, 1767 persona nga trajnimi dhe aftësimi profesional, 252 persona janë punësuar, 575 përfitues të financimit të biznesit, 347 fëmijë kanë përfituar nga kurset e gjuhës, janë aprovuar kërkesat për rindërtimin e shtëpive të 4 familjeve ndërsa 5 familje kanë përfituar nga mbështetje për renovim të shtëpive.
Agjencia e Regjistrimit Civil ka vazhduar me ngritjen e infrastrukturës dhe përmirësimin e shërbimeve për qytetarë me qellim që të krijohet Regjistër civil i besueshëm dhe modern. ARC ka digjitalizuar të gjithë regjistrat themeltar (te ri-kthyer nga Serbia) të gjendjes civile verifikimi i të cilave është në proces e sipër. ARC ka përmirësuar infrastrukturën fizike, duke i ofruar shërbimet më afër qytetareve si objekti i ri i Qendrës për Regjistrimin e Automjeteve në Kaçanik dhe ka vazhduar punimet në ndërtimin e dy objekteve të reja dhe renovimin e më shumë se 13 qendrave, si dhe ka ngritur sigurinë e objekteve duke instaluar kamera në të gjitha qendrat e saj. ARC ka filluar të ofrojë shërbimet e saj të regjistrimit civil dhe regjistrimit të automjeteve në 4 komunat veriore. Në bashkëpunim me Institutin e Kosovës për Administratë Publike (IKAP), ARC ka trajnuar dhe certifikuar të gjithë zyrtaret konsullor dhe zyrtaret e nivelit lokal të Komunave të Kosovës në fushën e gjendjes civile. Për më tepër, është bërë avancimi i sistemit elektronik të gjendjes civile në Konsullatat e Republikës së Kosovës, duke ia mundësuar qytetarëve të Kosovës të cilët qëndrojnë jashtë vendit që të pajisjen me dokumente të gjendjes civile.