Hoxhaj: Serbia duhet të njohë Kosovën

Foto Arkiv

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj po qëndron në Austri ku po merr pjesë në Samitin e Salzburgut “Gjenerata e re e shteteve anëtare të BE-së”, që është e fokusuar në Ballkanin Perëndimor dhe sfidat e anëtarësimit të këtyre shteteve në Bashkimin Evropian.

Hoxhaj është shprehur se duhet të adresohen tri çështje historike në mënyrë që të sigurohet ecja përpara e shteteve të Ballkanit drejt integrimit të plotë në BE.

“Pa adresimin e tri sfidave historike sikurse është njohja e ndërsjellë Kosovë-Serbi, çështja e emrit të Maqedonisë, si dhe forcimi i një shteti funksional të Bosnje Hercegovinës nuk mund të ketë ecje përpara dhe integrim të plotë të shteteve të Ballkanit në BE”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka thënë qartë se Serbia duhet të njohë Pavarësinë e Kosovës. “Është mirë që në Serbi ka një dialog të brendshëm dhe është çështje e tyre e brendshme, mirëpo Kosova është temë e politikës së jashtme të Serbisë dhe Serbia duhet ta njohë plotësisht pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës”, theksoi Hoxhaj.