Hoxha: Fotografitë e Ivanoviqit të vrarë janë autentike, kamerat nisën të punojnë 1 minutë pas vrasjes

Nesër bëhet një vit nga vrasja e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq. Sot mediat serbe kanë publikuar dy fotografi në të cilat shihen momentet e para pas vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviqit. Sipas medieve fqinje, këto pamje janë kapur nga kamerat e vendosura tek zyra e selisë së partisë së Ivanoviqit, edhe përkundër faktit se ishte thënë se ato ishin ndalur 12 ditë para se të ndodhte vrasja. Mirëpo Sylë Hoxha ka thënë se fotografitë që po qarkullojnë në media janë autentike. Prokurori Sylë Hoxha ka komentuar për televizionin e Beogradit, N1, ka thënë se kamerat nuk e kanë filmuar momentin e vrasjes së politikanit serb dhe se kamerat kanë filluar të filmojnë një minutë pasi është kryer vrasja. Prokurori ka konfirmuar bashkëpunimin me autoritetet serbe, ndërkohë ka ritheksuar se gruaja e Ivanoviqit nuk ka pranuar të intervistohet në Kosovë, dhe se dëshmia e saj në Serbi s’i ka ndihmuar fare hetimet. Ndryshe në fotografinë e parë shihet se i pari që arrin në vendin e ngjarjes është një fqinj i Ivanoviqit dhe sekretari i partisë. Kurse në fotografinë e dytë, shihet një zyrtar i Policisë së Kosovës, i cili kishte qëlluar rastësisht në vendin e ngjarjes. Këto fotografi janë publikuar një ditë para se të bëhet një vit prej kur u vra Oliver Ivanoviq.