Hoti: Nuk do të ketë drejtësi për kategoritë e dala nga lufta, derisa të pastrohen listat

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti ka theksuar se asnjëherë nuk do të vendoset drejtësi për katogoritë e dala nga lufta pa i nxjerrë sipas tij, Shtabi i Përgjithshëm dhe Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës listat e pjesëtarëve të vërtetë të UÇK-së.

Ai në profilin e tij në Facebook ka shkruar se vetëm kur ato lista të bëhen publike, ushtarët e vërtetë do të marrin vlerësimin e merituar.

“Dhe do të dalin sheshit motivet kriminale e politike të fryrjes së numrit të veteranëve e invalidëve të luftës. Deri atëherë, taksat e qytetarëve të varfër të Kosovës do të shpenzohen padrejtësisht”, ka shtuar Hoti.

Ai ka theksuar se LDK-ja e mbështetë fuqishëm ndriçimin e plotë të këtij procesi, në mënyrë që të garantohet sipas tij, paprekshmëria e pastërtisë së kauzës çlirimtare të luftëtarëve të UÇK-së.