Hoti: Bashkimi i Doganës dhe ATK-së, ndër objektivat e qeverisë

Nën organizimin e Ministrisë së Financave sot u mbajt takimi me temën “Përshpejtimi i bashkimit të Doganës dhe Administratës Tatimore të Kosovës”, i cili ka për qëllim prezantimin e të gjeturave dhe rekomandimeve nga raporti i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Me këtë rast, ministri i Financave, Avdullah Hoti tha se bashkimi i Doganës dhe i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK) në një agjenci, është një nga projektet më të rëndësishme të Qeverisë së Kosovës për këtë vit.

Gjatë fjalimit të tij, ministri Hoti tha se ky takim është organizuar për të parë se ku qëndron Kosova në projektin më të rëndësishëm që ka Qeveria, pra në bashkimin e administatës tatimore dhe doganore në një agjenci të të hyrave.

Duke vënë në dukje se vendimi për themelimin e kësaj Agjencie është marrë në vitin 2015, sipas Hotit, me formimin e grupit punues nga Dogana dhe Administrata Tatimore, si dhe me mbështetjen e FMN-së, është bërë një punë e shkëlqyer.

Hoti thekson se ky proces është mjaf kompleks dhe se për këtë arsye kanë kërkuar asistencë nga FMN-ja.

“Tani jemi në fazat finale të këtij procesi dhe këto sugjerime që janë dhënë në këtë raport janë shumë të rëndësishme për ne. Me lini t’u njoftoj që ligji për Agjenci pas shumë diskutimeve që kemi patur me të gjithë aktorët e këtij procesi është dorëzuar në Qeveri. I kemi adresuar pothuajse të gjitha shqetësimet dhe vërejtjet që i kanë pasur palët e interesit”, tha Hoti.

Ai së fundmi vuri në dukje se me rekomandimet e pranuara nga FMN-ja do të mundësojnë dizajnimin e këtij procesi deri në fund, dhe ruajtjen e performancës së jashtëzakonshme të arritur deri më sot nga Dogana dhe Administrata Tatimore.

Kurse përfaqësuesi i FMN-së, Seffen Hansen, tha se FMN-ja është e gatshme për ta mbështetur këtë proces të bashkimit, në pajtim me koncept-dokumentin e lëshuar nga Qeveria. Sipas tij, qëllimi i FMN-së ishte që në asnjë mënyrë të mos cenohet niveli i mirë i mbledhjes së të hyrave të deritanishme nga të dy agjencitë.

“Ne natyrisht që e kemi parasysh që bashkimi si i tillë nuk duhet të prekte dhe të cenonte të hyrat që realizohen tani. Por, në anën tjetër duhet të parashihte se pas 4-5 viteve të ndikojë në masë të madhe në përmirësimin e të hyrave dhe të proceseve tjera, prandaj edhe ne kemi dëshiruar që kjo të parashihet sa më herët që është e mundur, në nivel strategjik”, tha Hansen.

Ndërkaq edhe Aleanca Ndërkombëtare e Biznesit ka marrë pjesë në hartimin e draft-ligjit të Agjencisë tatimore dhe doganore të Kosovës. Anëtarët e Departamentit Pranë Aleancës së Biznesit të Legjislacionit, ka analizuar këtë dokument dhe ka ardhur në konkludim se bashkimi i këtyre dy agjencive nuk ka ndonjë influencë në zhvillim e biznesit në Kosovë. Për këtë arsye, ky departament ka shprehur përkrahje për këtë proces.