Hong Kong, protestuesi i qëlluar nga policia në gjendje kritike

Policia në Hong Kong hapi zjarr ndaj protestuesve të hënën me municione të vërtetë dhe bombola gazi lotsjellës, duke lënë një demonstrues të plagosur në gjendje kritike, raportojnë media lokale, raporton Anadolu Agency (AA).

Protestuesit, kryesisht të rinj, u mblodhën rreth orës 06:30 të mëngjesit sipas orës lokale (10:30G sipas orës të Evropës Qendrore të dielën) për të mobilizuar mbështetjen për grevën e përgjithshme, njoftoi “Free Kong Hong Press”.

Protestuesi i plagosur u qëllua në bark në Sai Wan Ho, dikur zonë e biznesit të qytetit. Raportohet se protestuesi është në gjendje kritike.

Hong Kong, një rajon autonom i Kinës që nga viti 1998, është përfshirë nga protesta që nga fillimi i qershorit, kundër masës së administratës Lam për të legalizuar ekstradimin në Kinë.

Ky incident pason vdekjen e një studenti të premten e kaluar pasi ai ra në një park automjetesh afër një zone ku policia po kryente operacionet e shpërndarjes në Tseung Kwan O, ku forcat e sigurisë kishin hedhur gaz lotsjellës.

Protestat kanë shkaktuar probleme për muaj, ndërkaq vëzhguesit financiarë ndërkombëtarë kanë shkurtuar progresin ekonomik të qendrës së biznesit.

Qeveria tashmë ka hequr projektligjin, por protestat vazhdojnë.

Një profesor nga Kolegji Hong Kong Chuhai i tha Anadolu Agency se mësimi është pezulluar, ndërsa një numër i madh protestuesish të rinj vendosin maska dhe dalin në rrugë.

“Autoritetet e Hong Kongut kanë shkuar shumë larg”, tha Chien-Yu Shih, i cili ligjëron Politikën dhe Marrëdhëniet Ndërkombëtare.

Qeveria e Hong Kongut në fillim të tetorit ndaloi mbajtjen e maskave, ku shumë persona janë ndëshkuar për mosrespektimin e ndalimit.

Ai shtoi se shikohet se kishte një komplot për të shtyrë zgjedhjet e ardhshme të Këshillit të Qarkut të caktuara për 24 nëntor.

“Kandidatët pro-qeverisë do të humbasin në mënyrë dramatike”, tha ai, duke shtuar: “Pasojat e pezullimit, apo edhe e anulimit të zgjedhjeve do t’i fuqizojë më tepër protestuesit”.

Chien-Yu Shih, i cili është gjithashtu sekretar i përgjithshëm i Shoqatës së Azisë Qendrore të Tajvanit, tha se protestuesit aktualisht janë duke kërkuar një komitet të pavarur hetimi për dhunën e policisë.