Holandezi Pierre Weijers në moshën 51-vjeçare shijon Ramazanin e parë

Pierre Weijers nga Holanda vitin e kaluar kaloi në Islam dhe ky është Ramazani i parë të cilin e agjëron. Weijers (51) punon si këshilltar në brigadën zjarrfikëse në Amsterdam ndërsa Islamin e pranoi në tetor të vitit të kaluar. Në një prononcim për Anadolu Agency (AA), Weijers lidhur me Ramazanin e tij të parë tha se nuk e ka të vështirë të agjërojë dhe se ka agjëruar 6 ditë para fillimit të Ramazanait, në mënyrë që të mësohet me agjërimin. ( Abdullah Aşıran - Anadolu Agency )

Pierre Weijers nga Holanda vitin e kaluar kaloi në Islam dhe ky është Ramazani i parë të cilin e agjëron.

Weijers (51) punon si këshilltar në brigadën zjarrfikëse në Amsterdam ndërsa Islamin e pranoi në tetor të vitit të kaluar.

Në një prononcim për Anadolu Agency (AA), Weijers lidhur me Ramazanin e tij të parë tha se nuk e ka të vështirë të agjërojë dhe se ka agjëruar 6 ditë para fillimit të Ramazanait, në mënyrë që të mësohet me agjërimin.

“Para Ramazanit nuk e dija se çfarë më pret. Mendoja se do ta kem të vështirë, por tani shkon me lehtësi. Vazhdoj që namazin e teravive dhe namazin e sabahut ta falë në xhami, pasiqë ndjej kënaqësinë në ibadet”, ka thënë Weijers.

Më tej shtoi se gjatë Ramazanit ka mbështetje të madhe nga fqinjët muslimanë.

“Pasiqë iftarin e ha vetëm, fqinjët çdo mbrëmje më dërgojnë ushqim dhe kujdesen për mua. Kështu nuk e ndjej vetminë. Kjo është diçka e mrekullueshme”, ka thënë Weijers.

Ai tha se në të kaluarën kishte shumë probleme private dhe se pikërisht fqinjët e kanë ndihmuar për t’i tejkaluar periudhat e vështira.

“Fqinjët më dhuruan një libër për Islamin dhe video-xhirime për t’u ndier më mirë. Pas kësaj më pyetën se kur do të bëhem musliman dhe unë u thash kurrë. Por, aq shumë më ka lënë përshtypje duke hulumtuar dhe nga ajo që lexoja e kuptova se Islami është feja që po kërkoja”, shpjegoi Weijers.

Ai thotë se ajeti i Kur’anit, i cili e ka motivuar të bëhet musliman është: “Zoti yt ka urdhëruar që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit”.

Weijers shtoi se anëtarët e familjes së tij janë të krishterë.

“Kur kuptova se në mesin e kusherinjëve të largët ka muslimanë, isha i befasuar, por nëna, vëllezërit, motrat dhe kolegët e mi kanë reaguar shumë mirë ndaj vendimit tim”, ka thënë Weijers.